U arrestua 8 ditë pas lindjes së fëmijës, lirohet nga burgu gruaja nga Shkodra

Shkodra

U arrestua 8 ditë pas lindjes së fëmijës, lirohet nga burgu gruaja nga Shkodra

Më: 17 mars 2023 Në ora: 14:31
Diana Bahçja Hoshi

Është liruar nga burgu shtetasja shqiptare Diana Bahçja Hoshi, e cila u arrestua në Shkodër vetëm 8 ditë pas lindjes.

Ajo u arrestua me akuzën e braktisjes së fëmijës së parë, para disa vitesh.

Pak minuta më parë para togava të zeza ajo është shprehur se nuk kishte dijeni për gjobën që do të duhej të paguante kundrejt qëndrimit në burg për 50 ditë, pasi kishte braktisur foshnjën.

Diana ishte dënuar për braktisjen e fëmijës nga martesa e parë, por bashkëshorti i saj i tanishëm, Naim Bahçja pretendon se Diana është detyruar të largohet pasi ish-bashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën.

Hoshi, me origjinë nga Mati, është dënuar nga Gjykata e Tiranës në qershor të vitit 2022, ndërsa vendimi është ekzekutuar nga Policia më 7 mars të këtij viti.

Më kërkesë të Prokurorisë, Gjykata kishte vendosur zëvendësimin e dënimit nga gjobë 250 mijë lekë në 1 muaj e 20 ditë burgim për akuzën “Braktisja e fëmijës”.

Gjykata ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg të 26-vjeçares derisa të shqyrtohet kërkesa tjetër për shlyerjen e gjobës. Seanca e ardhshme u la për më 14 prill ora 10:00.

Diana ka deklaruar se gjatë arrestimit i ka treguar policëve se kishte një fëmijë në gji, ndërsa ka folur dhe për vajzën.

U thash policëve që kam foshnjën me gji. Nuk e kam takuar fëmijën e parë prej 5 vitesh”, ka thënë nëna e re.

Ndërkohë mbrojtja kërkoi lirimin e menjëhershëm, me të cilin ishin dakord dhe prokurorët, por kërkuan shlyerjen e gjobës prej 2.5 mln lekësh të vjetra.

“Ne kemi bërë dy kërkesa për shtyrje të afatit të ekzekutimit të vendimit deri sa fëmija të bëjë 1 vjeç dhe po ashtu pezullimin e vendimit me burg. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm nga burgu për shkak të fëmijës së mitur që është vetëm 20 ditësh”, deklaroi avokati i nënës së re.

Ndërkohë zyra e përmbarimit ka deklaruar se nuk e ka gjetur dhe nuk është shlyer gjoba dhe për këtë arsye prokuroria ka vënë në lëvizje gjykatën për të bërë konvertimin e gjobës në burg.

Nga ana e saj, Prokuroria tha se kemi një dënim të shtetases në fjalë. “Ka vendim dënimi me gjobë që nuk është ekzekutuar nga përmbarimi dhe ata kanë njoftuar prokurorinë. Nuk kemi qenë në dijeni që zonja ka qenë me fëmijë sepse vendimi është dhënë në qershor 2022 dhe zonja ka qenë në mungesë”, ka thënë Prokuroria.

Prokuroria ka pyetur nënën e re për pagesën e gjobës.

A jeni dakord që ju të paguani gjobën dhe quhet dënimi i shlyer dhe çështja zgjidhet përfundimisht që të mos zvarritet nëpër procese gjyqësore. Dhe jam dakord që të lirohet menjëherë nga burgu për shkak të situatës ku ndodhet”, tha Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat