Finalizohet megaoperacioni policor antikanabis në Shkodër, arrestohen dy të dyshuar – në kërkim babë e bir

Shkodra

Finalizohet megaoperacioni policor antikanabis në Shkodër, arrestohen dy të dyshuar – në kërkim babë e bir

Më: 26 maj 2023 Në ora: 10:57
Shkodër

Policia e Shkodrës ka njoftuar se është finalizuar faza e tretë e këtij megaoperacionit policor antikanabis i koduar “Alpe të pastra”, në të cilin janë përfshirë 80 forca policore dhe 6 dronë, të cilët kanë mundësuar finalizimin e këtij operacioni.

Në kuadër të tij, janë evidentuar dhe asgjësuar 1437 fidanë cannabis sativa, nga të cilët 137 fidanë të kultivuar në kubikë dhe 1300 fidanë të kultivuar në tokë, në 2 ambiente të ndryshme.

Si pasojë e këtij operacioni policia në Shkodër ka arritur të arrestojë dy të dyshuar për këtë veprimtari kriminale dhe janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë.

“U arrestuan në flagrancë shtetasit M. L., 43 vjeç, banues në fshatin Limsh dhe B. F., 53 vjeç, banues në fshatin Vilzë, autorë të dyshuar të kultivimit të 350 fidanëve në tokë dhe 137 fidanëve në kubikë; u shpallën në kërkim shtetasit L. F. dhe P. F. (babë e bir), pasi në territorin e banesës së vjetër të tyre, janë gjetur 950 fidanë të kultivuar në tokë”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se më herët, gjatë fazës së dytë të këtij megaoperacioni, ishin asgjësuar 26,600 fidanë cannabis sativa, të kultivuar në tokë dhe në kubikë, si dhe ishte arrestuar njëri nga autorët kryesorë të dyshuar të kultivimit të këtyre fidanëve.

Sipas policisë, finalizimi i fazës së tretë të këtij operacioni policor të koduar “Alpe të pastra”, ësht ëbërë pas kontrollimit në 191 zona malore dhe zona të tjera me risk.

“Gjatë kontrolleve në territorin e fshatit Gjuran, njësia administrative Pult, dhe në territorin e fshatit Vilzë, njësia administrative Postribë, u evidentuan të kultivuara në tokë 1300 fidanë cannabis sativa dhe 137 fidanë të tjerë u evidentuan në kubikë, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë. Fidanët narkotikë janë asgjësuar me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat