Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë Shqipërisë sot duke shkaktuar problematika të shumta në qarkun e Shkodrës.
Dalja e përroit Glinë nga shtrati solli bllokimin e unazës së qytetit të Vaut Dejës si dhe përmbytjen e dhjetëra banesave dhe bizneseve.
Kreu i bashkisë Vau Dejës, Kristjan Shkreli flet për dëme të konsiderueshme ndërsa pohon se shkak është bërë mos rehabilitimi në kohë i përroit të Glinës.
“Deri tani janë rreth 100 shtëpi që kanë prezencë uji, dëmet janë shumë të mëdha. Problemi kryesor është përroi i Glinës”, tha Shkreli.
Një nga sipërmarrësit në zonë thotë se shiu i ka shkaktuar dëme të mëdha, me kosheret e bletëve apo në stallën e derrave.
“Vetëm bletë më ka marrë 52 koshere, 15 derra. E mira është që shteti të na ndihmojë”, u shpreh Gjon Dodani.
Situata është e vështirë edhe në fshatrat e tjerë të bashkisë Vau Dejës, si në Bushat dhe Hajmel.
Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë nga rreth 150 mm në 24 orët e fundit, deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet kryesore të kullimit, në argjinaturat mbrojtëse apo në digën e rezervuarit në Shkodër.
Në bashkitë e tjera të qarkut probleme ka në rrugët dytësore për shkak të rënieve të gurëve dhe inerteve në bashkitë malësi e madhe, në zonën e gurit të zi, dhe në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz, transmeton RTSH, përcjell KosovaPress.