Akuza për parkingjet, Bashkia: Ja pse PD mashtroi qytetarët!

Shqipëria

Akuza për parkingjet, Bashkia: Ja pse PD mashtroi qytetarët!

Më: 30 janar 2019 Në ora: 17:16
Ilustrim

Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Partia Demokratike përhapi sot qëllimisht një lajm abuziv dhe të pavërtetë lidhur me mënyrën e administrimit të parkimit në qytet nga Tirana Parking.

Në respekt të informimit të drejtë dhe transparent të qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës dëshiron të theksojë se Vendimi i Këshillit Bashkiak “Për një shtesë në vendimin Nr 49, datë 11.11.2015 “Për miratimin e kritereve të përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit dhe nënzonave të destinuara për parkim, si dhe tarifave të shërbimit të parkimit të administruar nga Bashkia e Tiranës, të ndryshuar”, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk ka për qëllim të privatizojë apo të japë me koncesion shërbimin e parkimit në kryeqytet, siç dezinformoi qëllimisht sot Partia Demokratike.

Siç shprehet qartë edhe në relacionin shoqërues të VKB-së, aktualisht qytetarët e Tiranës e paguajnë parkimin përmes dy opsioneve: asaj me sms nga telefoni i tyre dhe direkt te inspektori përkatës i Tirana Parking. Por, jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë për të patur kredit të mjaftueshëm në telefonat e tyre për kryerjen e pagesës, e për pasojë ata kanë kërkuar me të drejtë metoda të tjera alternative për kryerjen e pagesës së shërbimit të parkimit.

Për këtë arsye, por edhe nga nevoja për t’u krijuar lehtësi shërbimi qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës ka propozuar vendosjen e pajisjeve vetëshërbyese (automatë) dhe aplikacione të ndryshme, në vendet e destinuara për parkim, të cilat mund të punojnë gjatë periudhës kur shërbimi i parkimit është aktiv, si një metodë e thjeshtë dhe efektive për verifikimin e tarifës së parkimit, njësoj si në çdo vend tjetër perëndimor. Ashtu siç funksionon edhe sot, pagesa që do të kryhet përmes këtij shërbimi do të kalojë 100% për llogari të Bashkisë së Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat