Soreca: 10 milionë euro nga BE për Shqipërinë për luftën anti-Covid

Shqipëria

Soreca: 10 milionë euro nga BE për Shqipërinë për luftën anti-Covid

Më: 8 shtator 2020 Në ora: 13:12
Luigi Soreca

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca deklaroi se Shqipërisë do t’i vihen në dispozicion 10 milionë euro për të ndihmuar në luftën kundër COVID.

Soreca mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të 20 respiratorëve për spitalet COVID nga Bashkimi Europian. Ai tha se javën tjetër do të mbërrijnë edhe 30 respiratorë të tjerë të lëvizshëm.

“Sot kemi sjellë 20 respiratorë bashkë me aksesoret e tyre. Këto do të ndihmojnë në njësitë e terapisë intensive. Ne kemi sjellë edhe shumë ndihma dhe kontribute të tjera, duke sjellë edhe 10 mijë testime të shpejta. Do të sjellim javën tjetër edhe 30 respiratorë të lëvizshëm.

Më lejoni që të falënderoj ata mjekë dhe infermierë që janë në vijën e parë të kësaj lufte. Faleminderit për punën e palodhur që keni bërë, për këtë sakrificë që po e bëni dhe do vazhdoni ta bëni. Faleminderit për të gjithë ata epidemiologë, në emër të BE ne jemi krenarë për gjithçka që ju keni bërë.

Më lejoni t’ju them që në sajë të kësaj emergjence që po përballet e gjithë bota, ne kemi përshtatur edhe programin tonë duke bërë të mundur edhe 10 mln euro që do të jenë në dispozicion të Shqipërisë për të ndihmuar ato aspekte që janë të rëndësishme në luftën kundër covid për ti ardhur në ndihmë gjithë komunitetit. E kemi filluar këtë punë me një sasi prej 20 mln euro duke i ardhur në ndihmë komunitetit LGBT dhe fëmijëve me aftësi”, tha ambasadori Soreca.

Në fund ambasadori i bëri apel qytetarëve shqiptarë që të jenë vigjilente dhe të respektojnë të gjitha masat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat