VOA: Meta kërkon procedim disiplinor për një anëtare të Kushtetueses

Shqipëria

VOA: Meta kërkon procedim disiplinor për një anëtare të Kushtetueses

Më: 26 janar 2022 Në ora: 23:53
Ilir MetA

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta iu drejtua sot Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke kërkuar nisjen e një procedimi disiplinor ndaj anëtares së Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji.

Kërkesa e presidentit Meta lidhet me procesin për shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019 nga gjykata, ku sipas kreut të Shtetit janë konstatuar shkelje të procedurave të ndjekura.

Gjyqtarja Papajorgji ka qenë relatore e çështjes, dhe sipas kërkesës, asaj i është besuar dosja në shkelje të ligjit, duke mos u hedhur më parë shorti. “Janë shmangur/shkelur në mënyrë të pakontestueshme rregullat proceduraletë parashikuara nga ligji, për caktimin me short të relatorit të çështjes, duke krijuar dyshime të forta se fati i kësaj dosje ishte paracaktuar në favor të organit të emërtesës dhe mazhorancës përfaqësuese që ka zgjedhur/emëruar gjyqtarin kushtetues relator”, vihet në dukje në kërkesë.

Po ashtu presidenti vlerëson se pyetjet që Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias, nuk kishin përfshirë çështjet e ngritura nga disa prej palëve në proces, duke favorizuar në këtë mënyrë, sipas tij, palën tjetër, që ishte Qeveria dhe parlamenti, si dhe duke paraqitur faktet në mënyrë të shtrembëruar. Sipas kërkesës “këto vepime të relatorit të çështjes, krijojnë idenë se janë kryer jo vetëm për përfitime të padrejta (në rastin konkret në formën e njëkthimi të“shpërblimit” për organin e emërtesës që e ka zgjedhur), por edhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm palëve pjesëmarrëse në gjykim, të cilëve u është mohuar e drejta për të marrë përgjigje për pyetjet e ngritura për Komisionin e Venecias, me impakt direkt edhe në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do të orientonte më pas zgjidhjen e çështjes tëparaqitur para saj për shqyrtim. Mosdërgimi i pyetjeve të palëve në Komisionin e Venecias, veç të tjerash bie në kundërshtim me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.6.2021”.

Komisioni i Venecias në opinionin e vet u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk kishte kompetencë për vlerësimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Vendimi i mëpasshëm i gjykatës ishte po në këtë linjë.

Gjykata Kushtetuese ka në dorë dhe vendimin e parlamentit për shkarkimin e presidentit Meta. Javën e ardhshme është parashikuar dhe një seancë publike për këtë çështje. Presidenti mund të shfrytëzojë kërkesën për procedim disiplinor nga anëtares së gjykatës Papajorgji, për të kërkuar përjashtimin e saj nga gjykimi për shkarkimin e tij për shkak të “konfliktit të interesit”. Në një rast të tillë është së pari gjyqtari që vlerëson nëse duhet të tërhiqet ose jo. Në rast se vendos tërheqjen, sërish fjalën e fundit e ka kryetari i gjykatës. Tërheqja e një anëtari kur gjykata është me 7 gjyqtarë, ngushton rrezen e vendimarrjes, e cila në rastin e kushtetueses kërkon 5 vota pro ose kundër, pasi në të kundërt gjykata nuk shprehet dot me një vendim./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat