U vetëvra prej dhunës nga bashkëshorti/ Motra: E kanë rrahur deri sa i ka rënë të fikët

Shqipëria

U vetëvra prej dhunës nga bashkëshorti/ Motra: E kanë rrahur deri sa i ka rënë të fikët

Më: 5 maj 2022 Në ora: 12:26
foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Elbasan. Një grua 52-vjeçare është hedhur nga kati i tretë i një pallati dhe si pasojë ka humbur jetën. Viktima është Fatbardha Likrama, nënë e tre fëmijëve, e cila nuk mundi të durojë më dhunën sistematike që përjetonte në familje, nga bashkëshorti, vjehrra dhe vjehrri i saj. Likrama tentoi t’i shpëtojë dhunës, duke u larguar në shtëpinë e motrës, që jeton përballë pallatit të saj në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.

Ajo shkoi edhe në polici e denoncoi rastin, por asnjë masë nuk u mor nga autoritetet. Kështu, ajo përfundoi duke u marrë  forcërisht nga shtëpia e motrës për t’u kthyer në gjirin familjar. Nën këtë presion, e ndjerë e vetme dhe pa mbështetje,  52-vjeçarja i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit pasditen e 4 majit.

Në një intervistë për mediet motra e viktimës, Flutura Kalemaj, ka bërë me dije se një ditë para ngjarjes motra e saj kishte shkuar tek ajo për t’u strehuar. Kalemaj ka treguar se 52-vjeçarja dhunohej jo vetëm nga bashkëshorti, por nga e gjithë familja e tij. Ajo shprehet se motra e saj ka shkuar tek ajo me dhëmbë të thyer e me flokë të shkulura.

“E rrihte burri, vjehrri, kunata, vjehrra. Vjehrra me vjehrrin e kapën nga flokët në një rast dhe e kishin marrë zvarrë. Në një rast tjetër burri i theu dhëmbët. Në një rast tjetër motra e burrit, kunata e kishte përplasur në tokë dhe i motrës i kishte rënë të fikët. Kishte 30 vite e martuar dhe që dhunohej. Ata e dhunonin sepse nuk e donin se ishte çame. Një vit motra ka fjetur në tokë, nuk e linte vjehrra, i thoshte burrit të saj ‘pse e more çame’. Më erdhi para disa ditësh, ishte bërë e verdhë, e kishin lënë pa ngrënë. I dhashë bukë, e mori veten. I erdhi çuni i tha hajde në shtëpi. Motra nuk donte të shkonte, i tha nuk vij. Unë isha në gjumë, ajo kishte ikur. Erdhi pas 2 orësh, kishte marrë rrobat. E kishte vendosur që do ndahej. Më thoshte o ndahem o vras veten”, thotë ajo.

Policia deklaroi se motivi i vetëvrasjes ishte “depresioni”, por motra e 52-vjeçares tregon se ajo nuk ishte në depresion.

“Ajo ishte shumë mirë e qetë, nëse do ishte me depresion, do më kishte thënë. Nuk kurohej për depresion. Por policia nuk mori masa dhe ajo bëri këtë veprim”, tha ajo.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat