Eurot në “Toyota” Balla: Basha, foto me vëllain e 2 të kërkuarve

Shqipëria

Eurot në “Toyota” Balla: Basha, foto me vëllain e 2 të kërkuarve

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 13:51
Balla u shpreh se Basha përmes deklarimeve të tij ka vënë në rrezik operacionin e policisë.

Një ditë pasi ka dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, padinë ndaj Lulzim Bashës për “nxjerrje të sekretit hetimor”, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka publikuar një foto të kreut të PD me disa persona, ku sipas tij, njëri prej tyre është vëllai i dy personave të shpallur në kërkim, shtetasve E.V. dhe A.V., që të dy nga Peshkopia.

“I vëllai i dy personave të shpallur në kërkim foto me Bashën në zyrat e PD. A u shërbeu Basha vëllait të tyre”, ka deklaruar Balla nga selia e Kuvendit teksa në dorë mbante edhe fotografinë.

Më tej Balla u shpreh se Basha përmes deklarimeve të tij ka vënë në rrezik operacionin e policisë.

“Njofton vëllain e mikut nga foltorja e Kuvendit që të mos kalonte nga Ankona. Dyshoj se Toyota Auris po e prisje ti. Vure në rrezik një operacion të suksesshëm policie”, tha Balla.

Në padinë e dorëzuar një ditë më parë, Balla pretendon se kreu i Partisë Demokratike ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor, duke shtuar se, “për sa u përket këtyre deklaratave, unë mendoj se këto janë bërë nga i kallëzuari, pasi ai e ka kuptuar ndikimin e veprimit të tij kriminal dhe ka dashur që ta kalojë në diskursin e tij të zakonshëm politik dhe publik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat