KOK-u shënon Ditën Botërore të Televizionit, vitin e ardhshëm organizohet festivali i Filmit Sportiv

Sporti

KOK-u shënon Ditën Botërore të Televizionit, vitin e ardhshëm organizohet festivali i Filmit Sportiv

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 14:18
Konferenca per media

Me rastin e shënimit të Ditës botërore të televizionit, KOK ka mbajtur takim me regjisorët, producentët, skenaristët dhe çdo zyrtarë tjetër të këtyre fushave, duke përfshirë edhe gazetarët sportivë dhe studentët e këtyre lëmenjve.

Në këtë takim është diskutuar për realizimin e dokumentarëve dhe filmave sportivë, me të cilët edhe Kosova që nga viti i ardhshëm do të konkurronte për çmimet prestigjioze që ndan Federata Ndërkombëtare për Kinemanë Sportive dhe Televizionin (FICTS).

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se shkas për këtë takim është shënimi i Ditës ndërkombëtare e televizionit dhe organizimi i festivalit të filmit sportiv, ngjarje e cila pritet të ndodh në muajin maj ose qershor të vitit të ardhshëm.

Hasani: Vitin e ardhshëm organizohet festivali i filmit sportiv

“Shkas për këtë takim është, 21 nëntori, dita ndërkombëtare e televizionit ndërsa arsyeja kryesore se pse ju kemi ftuar është që të fillojmë një bashkëpunim në mënyrë që sa më shumë jeta, e sportistit dhe jo vetëm sportistit por sporti në përgjithësi, të memorizohet nëpërmjet filmave që ju mund ti krijoni... Kështu që vitin e ardhshëm në Kosovë do të organizohet festivali i parë i filmit dhe televizionit sportiv, prandaj ju kemi ftuar sot që të bashkëbisedojmë, ta bëjmë një strategji se si së bashku të bëjmë sa më shumë filma të zhanreve të ndryshëm rreth sportit,” tha fillimisht Hasani.

Tutje i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës, u shpreh se në këtë festival do të mund të konkurrojnë si regjisor, gazetar dhe skenarist të ndryshëm me filma të zhanreve të llojllojshme, të cilët kanë të bëjnë me sportin.

Hasani: Në këtë festival mund të marrin pjesë personalitete të ndryshme

“Ideja është që në maj ose qershor të vitit të ardhshëm ne të organizojmë festivalin e parë, ku ju dhe të tjerët do te konkurroni me filmat e ndryshme, dokumentarët, aty kishte edhe filma 5 minutësh, 10 minutësh në konkurrenca të ndryshme të bërë për sportistë, për trajnerë, për refer, për organizata të ndryshme sportive, për sportet individuale, sporte ekipore, për sportistët me aftësi të kufizuara. Edhe televizionet merrnin pjesë me filma të ndryshme dhe me pamje të ndryshme”, tha Hasani.

Ndërkohë gazetari i mirënjohur kosovar, Gani Kosumi tha se televizionet mund të bëjnë më shumë rreth pasqyrimit të sportit kosovar, pasi që sipas tij deri më tani nuk ka

Kosumi: Sporti i Kosovës duhet të ketë një pasqyrim më të mirë

“Konsideroj që televizionet ndoshta duhet të bëjnë më tepër në këtë drejtim sepse sporti ka kaluar nëpër periudha të  vështira të zhvillimit. Mendoj se sporti i Kosovës duhet të ketë një pasqyrim më të mirë sidomos në opinionin e gjerë, jo vetëm ndërkombëtar por edhe kombëtar këtu në Kosovë. Sot e kësaj dite nuk e kemi një monografi të sportit të Kosovës që konsideroj që është detyrë mediate e institucioneve sportive që të bëjnë diçka më tepër në këtë drejtim. Ka mundësi që të bëhet diçka e tillë, por deri më sot pak është bërë”, deklaroi Kosumi.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve sportiv të Kosovës, Edmond Thaçi tha se ky festival do të jetë një mundësi e mirë për kolegët të cilët tashmë me vite punojnë në mediume e sidomos për ata që punojnë në televizion për të pasqyruar edhe më shumë vlerat tona sportive.

Thaçi: SHGSK mbështet iniciativën e Komitetit Olimpik të Kosovës

“Ne si shoqatë e gazetarëve sportiv të Kosovës, si bord aktual e mbështesim një iniciativë të tillë dhe sigurisht i inkurajoj të gjithë kolegët tanë të cilët merren me këtë fushë që të bëjnë, të dokumentojnë faktet pasi që në të ardhmen sigurisht që edhe gjenerata të reja do të ju lëmë një pasuri për ata se çfarë ka ndodhur në sportin e Kosovës. Është një mundësi e mirë të tregojmë vlerat tona”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa regjisori i njohur Fadil Hysa u shpreh se urgjentisht duhet të bëhet një thirrje publike për krijimin e një buxheti për ata të cilët kanë vullnet dhe talent të merren me këtë çështje, pasi që sipas tij është një kohë shume e shkurtër që deri tek organizimi i këtij festivali të bëhen filma të nivelit të lartë.

Hysa: Fëmijët tanë kanë filluar ta harrojnë sportin e viteve të 90-ta

“Tregimi ynë për sportin dhe kulturën, në një dekadë të viteve të 90-ta, brezi ynë, fëmijët tanë kanë filluar ta harrojnë ose se njohin faktikisht. Ne kemi nevojë për ato tregime nëse jo për botën, kemi nevojë me iu tregu fëmijëve tanë, brezit që po vjen...Mendoj që tregimet për stadiumet çfarëdo që ka qenë ai, janë shumë të vlefshme sesa krijimi i një stadiumi i cili kishte me zënë më shumë njerëz sot. Për mua tregimi se Anglia ka me ardh në Kosovë gjatë vikendit të kaluar, kur ndodhi ndeshje është shumë ma me vlerë se një fitore që kishim mundur ne ta merrnim ndaj Anglisë, ky është mendimi imi”, tha Hysa.

Në fund të këtij takimi është formuar edhe këshilli organizativ për këtë festival, i cili do të jetë në përbërje nga gazetarë sportivë, personalitete të shquara të artit dhe kulturës si dhe zyrtarë të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Kosova me organizimin e këtij festivali do të bëhej njëra ndër 16 shtetet që do të organizojë Festivalin e Filmit Sportiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat