Ja si teknologjia po ndryshon ritmet cirkadiane të njeriut

Teknologji

Ja si teknologjia po ndryshon ritmet cirkadiane të njeriut

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 08:46
Foto ilustrim

“Science Alert”

Që nga shpikja e llambës elektrike në vitin 1879, ne nuk kemi qenë më të varur nga drita natyrore e Diellit. Sot, shumë njerëz e kalojnë pjesën më të madhe të ditës jo vetëm në dhoma të ndriçuara në mënyrë artificiale,por edhe duke parë ekranet e telefonave, kompjuterëve dhe televizorëve.

Kohët e fundit, ka pasur shqetësime se shikimi i ekraneve të shndritshme në mbrëmje mund të ngatërrojë ritmin tuaj cirkadian, që është ora e brendshme që rregullon ciklin tonë të gjumit dhe zgjimit. Ne mund të supozojmë logjikisht se kjo do të thotë se përdorimi i një ekrani para gjumit, mund të na e bëjë më të vështirë rënien në gjumë.

Në fakt, ekzistojnë shumë produkte që mund t’i blini për të filtruar dritën blu nga ekranet tuaja, të cilat premtojnë që ta përmirësojnë cilësinë e gjumit. Por a funksionojnë vërtet këto produkte? A po e ndryshon drita e ekranit ritmin tonë cirkadian, duke na e bërë më të vështirë fjetjen gjatë natës? Historia është shumë e ndërlikuar.

Si funksionon ritmi cirkadian?

Ritmi circadian është një “orë trupore” e lindur tek shumë forma të jetës, përfshirë bimët, kërpudhat dhe kafshët. Tek njerëzit, ora e trupit gjendet në hipotalamus. Ai çliron një hormon të quajtur melatoninë.

Ky quhet shpesh edhe si “hormoni i gjumit”, pasi nivelet e tij janë më të larta gjatë natës, por bien pak para se të zgjohemi në mëngjes. Ora trupore ka një ritëm të brendshëm, por ndërkohë mund të rregullohet në përgjigje të dritës.

Profesor Xhon Akselson, një ekspert në studimet mbi gjumin në Institutin Karolinska,  shpjegon se kjo orë ka një ritëm të brendshëm gati 24-orësh, dhe është shumë e ndjeshme ndaj dritës, muzgut dhe agimit, në mënyrë që të rregullojë sistemin cirkadian. Ky i fundit i jep mundësi sistemit që të jetë dinamik dhe t’i përshtatet ndryshimeve sezonale në kohëzgjatjen e ditës dhe natës.

A po e ndryshon teknologjia ritmin tonë cirkadian?

Shumë aspekte të teknologjisë moderne, që nga llamba bazike dhe deri tek telefonat më të rinj me prekje, lëshojnë dritë. Profesor Xhemi Zaicer nga Universiteti i Stenfordit thotë se “kryesisht drita i shkakton dy gjëra kësaj ore:vendos kohën e orës, dhe ndryshon amplitudën apo fuqinë e orës”.

Ndërsa ritmi ynë cirkadian ndryshon nivelet e melatoninës, ne mund t’i përdorim nivelet e këtij “hormoni të gjumit” për të parë se çfarë po ndikon në orën e trupit tonë. Disa studime  kanë treguar se drita e shndritshme artificiale e pengon prodhimin e melatoninës tek njerëzit.

Interesant është fakti që kjo dritë përdoret në fakt si një terapi (e quajtur fototerapi) për t’i ndihmuar njerëzit që kanë orë biologjike shumë të vonuar që të zgjohen dhe të flenë më herët. Dhe intensiteti i dritës që përdoret për fototerapinë, është shumë më i lartë se sa emetohet nga ekranet apo llambat që përdorim në shtëpitë tonë.

Një studim i vitit 2014 analizoi një skenar më realist:krahasimin e niveleve të melatoninës dhe cilësinë e gjumit të njerëzve që lexojnë një libër normal apo një libër elektronik para gjumit. Ata zbuluan se pjesëmarrësit që lexonin librin elektronik kishin nivele të ulëta të melatoninës.

Dr.Cele Riçhardson nga Universiteti i Australisë Perëndimore  thotë se:“Ka prova të shumta që tregojnë se përdorim i ekranit të shndritshëm për rreth 1 orë e gjysmë (apo më shumë) e zvogëlon rritjen natyrale të melatoninës në mbrëmje, dhe ky efekt mund të shtohet me kalimin e netëve. E rëndësishme është që kjo nuk duket se përkthehet në nevojën për një kohë më të gjatë për të fjetur”.

Çfarë do të thotë kjo për modelet tona të gjumit?

Përderisa e dimë që melatonina ka shumë efekte në trupin tonë, dhe se ajo është e lidhur me ciklin e gjumit-zgjimit, ne nuk e dimë saktësisht sesi sasitë e reduktuara të melatoninës ndikojnë në cilësinë tonë të gjumit.

Ka studime të shumta që analizojnë përdorimin e teknologjisë dhe ndikimin e saj tek cilësia e gjumit,apo kohën që i duhet një njeriu për ta zënë gjumi. Megjithëse shumë prej tyre gjejnë një lidhje midis kohës së kaluar para ekranit dhe gjumit, ato janë shpesh të dobëta dhe nuk tregojnë se shtimi i kohës që kalojmë përpara ekranit shkakton probleme me gjumin.

Për shembull, një studim i vitit 2014 zbuloi se pjesëmarrësit që lexonin librat në letër flinin mesatarisht 10 minuta më herët sesa lexuesit e librave elektronikë. Studime të tjera,bënë krahasime midis njerëzve që përdorën pajisje që e reduktonin dritën blu nga ekranet.

Këto studime gjetën vetëm një ndryshim prej 3-4 minutash në kohën që duhej për rënë në gjumë. Ndërsa gjumi ndikohet nga shumë gjëra, shpesh është e vështirë të sigurohesh se në fakt po mat vetëm efektin e kohës së kaluar para ekranit.

Një tjetër ndërlikim theksohet nga dr.Riçardson:“Është e mundur një marrëdhënie dy-kahëshe midis përdorimit të teknologjisë dhe gjumit. Kjo do të thotë se me kalimin e kohës përdorimi i teknologjisë mund të ndikojë në cilësinë e gjumit. Megjithatë, individët që kanë probleme me gjumin,më pas mund të rrisin përdorimin e teknologjisë”. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat