Rregulla të reja për operatorët e dërgesave të pakove ndërkufitare

Teknologji

Rregulla të reja për operatorët e dërgesave të pakove ndërkufitare

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Ofruesit e dërgesave të pakove ndërkufitare brenda datës 31 janar të çdo viti kalendarik, duhet të vënë në dispozicion të AKEP-it listën me tarifat që zbatojnë për dërgesën postare.

Operatorët gjithashtu brenda çdo date 30 qershor të vitit kalendarik duhet të dërgojnë në AKEP informacionin për të ardhurat vjetore nga shërbimet e dërgesave të pakove, numrin e personave të punësuar, numrin e pakove përpunuese dhe emrat e nënkotraktorëve (sipërmarrës që ofron pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e pakove për llogari të ofruesit të shërbimit të dërgesave të pakove). Rregullat e reja mbi shërbimet e dërgesave të pakove ndërkufitare janë përcaktuar në udhëzimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) botuar në Fletoren Zyrtare.

Sipas MIE udhëzimi ka si qëllim mbikëqyrjen rregullatorë të dërgesave të pakove postare, transparencën e tarifave dhe vlerësimin e tarifave për disa shërbime të dërgesave të pakove ndërkufitare, me qëllim identifikimin e atyre të cilat janë të larta pa asnjë arsye dhe informacionin për konsumatorët të vëne në dispozicion nga tregtuesit, në lidhje me shërbimet e dërgesave të pakove ndërkufitare. Operatorët postarë që nuk do të zbatojnë rregullat e reja, në udhëzim përcaktohet vendosja e gjobave.

Konkretisht detyrimi për vënien në dispozicion të tarifave do të jetë për të gjithë operatorët postarë letër standarde 500 g (brenda dhe jashtë vendit); b) letër standarde 1 kg (brenda dhe jashtë vendit); c) letër standarde 2 kg (brenda dhe jashtë vendit); d) letër e regjistruar 500 g (brenda dhe jashtë vendit); e) letër e regjistruar 1 kg (brenda dhe jashtë vendit); f) letër e regjistruar 2 kg (brenda dhe jashtë vendit); g) letër e gjurmueshme 500 g (brenda dhe jashtë vendit); h) letër e gjurmueshme 1 kg (brenda dhe jashtë vendit); i) letër e gjurmueshme 2 kg (brenda dhe jashtë vendit); j) pako standarde 1 kg (brenda dhe jashtë vendit); k) pako standarde 2 kg (brenda dhe jashtë vendit); l) pako standarde 5 kg (brenda dhe jashtë vendit); m) pako e gjurmueshme 1 kg (brenda dhe jashtë vendit); n) pako e gjurmueshme 2 kg (brenda dhe jashtë vendit); o) pako e gjurmueshme 5 kg (brenda dhe jashtë vendit).

Udhëzimi përcakton se AKEP-i, brenda datës 28 shkurt të çdo viti kalendarik, publikon të dhënat për tarifat e shërbimeve të dërgesave ndërkufitare për pakot e ofruara nga ofruesit e shërbimeve, duke siguruar që publikimi bëhet në një link të dedikuar të faqes së AKEP-it, e cila do jetë neutrale dhe jo me karakter tregtar.

Për reduktimin e kostove administrative të operatorëve postarë dhe tarifave të dërgesave në doganë, Posta Shqiptare më herët kërkoi rritjen e pragut të blerjeve pa TVSH. Nga 2019 kufiri i lejuar për blerjet online pa TVSH është 22 euro. Çdo person që bën një blerje online me vlerë më shumë më të lartë se ky kufi paguan 20% tatim mbi vlerën e shtuar, si dhe një tarifë doganore në varësi të origjinës së mallit. Para ndryshimeve të miratuara nga TVSH-ja dhe taksa doganore përjashtoheshin blerjet dhe dërgesat deri në 150 euro. Propozimi u paraqit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës nëpërmjet projektvendimit “Për miratimin e dokumentit të politikës së shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë për vitet 2021 – 2026.” Ministria e Financave nuk pritet të rrisë pragun për blerjet pa TVSh, pasi siç pohoi Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera për Monitor ndryshimet do të penalizonin biznesin vendas, që tashmë është i prekur nga kriza e Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat