Teknologjitë e reja në shërbim të uljes së dioksidit të karbonit në atmosferë

Teknologji

Teknologjitë e reja në shërbim të uljes së dioksidit të karbonit në atmosferë

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 21:42
Në Islandë, dy kompani hapën një nga impiantet më të mëdha të kapjes dhe magazinimit të dioksidit të karbonit

Një mori teknologjish të reja që mund të ndihmojnë në neutralizimin e çlirimit të dioksidit të karbonit në shkallë globale deri në vitin 2050 po shfaqen kohët e fundit dhe të gjitha kanë nevojë për investime. Qeveritë në mbarë botën duhet të vendosin se cila i përshtatet gjeografisë së tyre dhe sa mund të shpenzojnë për një teknologji të caktuar.

Në shtator, disa kompani energjitike që janë përpjekur të pastrojnëatmosferën nga karboni festuan disa arritje të rëndësishme.

Në Islandë, dy kompani hapën një nga impiantet më të mëdha të kapjes dhe magazinimit të dioksidit të karbonit.

"Kanë një kapacitet 4,000 tonë dioksid karboni që kapet në ajër çdo vit, çka është e jashtëzakonshme. Ne pastaj ua dorëzojmë këtë sasi partnerëve tanë nga Carbfix për ta injektuar nën tokë. Dhe dioksidi i karbonit atje mineralizohet, duke u kthyer në gur”, thotë Jan Wurzbacher, shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i kompanisë Climeworks.

Shkrirja, ashtu si kapja e drejtpërdrejtë e dioksidit të karbonit në ajër, është një tjetër zhvillim i ri potencial në energjinë alternative. Shkrirja është një mënyrë për të përftuar energji pa karbon bazuar në të njëjtat parime që ngrohin diellin.

Në Francë, një eksperiment gjigant i shkrirjes që përfshinte magnetin më të madh deri tani u realizua në Reaktorin Ndërkombëtar Eksperimental Termonuklear, ose ITER, një megaprojekt ndërkombëtar i kërkimit dhe inxhinierisë së shkrirjes bërthamore. Një hap i madh, thotë ITER ndaj objektivit të tij për të prodhuar energji elektrike pa një nënprodukt radioaktiv.

"ITER-i pritet të kushtojë 20 miliardë euro, pak a shumë, të ndërtohet. Tani për tani, Evropa po importon 1 miliard Euro naftë çdo ditë. Pra, tani ata paguajnë në thelb çdo tre javë shumën e një viti", thotë Laban Coblentz, zëdhënësi i ITER-it.

Në fillim të këtij viti, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se angazhimet aktuale për klimën nga qeveritë

mund të mos arrijnë atë që kërkohet për t’i sjellë çlirimet globale të dioksidit të karbonit të lidhura me energjinë në zero deri në vitin 2050. Laura Diaz Anadon e Universitetit të Kembrixhit.

"Nëse nuk kemi energji elektrike të pastër, çlrimi i gazeve nuk do të bjerë. Pra përparësia duhet të jetë dekarbonizimi i sektorit të energjisë, dhe kjo do të thotë se burimet e rinovueshme, magazinimi dhe disa teknologji që mund të sigurojnë kapacitete të mëdha energjie do të jetë vërtet të rëndësishme", thotë Prof. Laura Diaz Anadone e Universitetit të Kembrixhit.

Ajay Gambhir, një studiues i Institutit Grantham për Ndryshimet Klimatike në Kolegjin Imperial në Londër, thotë se ai beson se deri më tani, dy burime energjie kanë shënuar arritje.

"Fotovoltaikët diellorë dhe turbinat e erës po depërtojnë në sistemet e energjisë mjaft shpejt në të gjithë botën për momentin; kostoja e tyre po ulet jashtëzakonisht shpejt. Pra, ata po rezultojnë shumë premtues përsa i përket alternativave me karbon të ulët", thotë ai.

Por sfidat mbeten kur bëhet fjalë për magazinimin e energjisë në planin afatgjatë.

"Kështu, për shembull, ne kemi bërë një përparim të madh në lidhje me koston dhe efektivitetin e baterive me litium. Gjatë 10 viteve të fundit, kostoja e baterive me litium është ulur me rreth 80, 85 për qind, kryesisht për shkak të përdorimit në tregun e automjeteve elektrike", thotë zonja Anadon.

"Nuk ka aktualisht bateri që të jenë aq ekonomike ose të mëdha, për të plotësuar të gjitha nevojat për energji elektrike që u duhen vendeve gjatë muajve të dimrit, për shembull. E kam fjalën për kohëzgjatjen e ruajtjes së energjisë. Ne tashmë e kemi një gjë të tillë për sa i përket hidrocentraleve me pompa, por më pas kemi një sërë teknologjish të tjera që janë ose ekzistuese ose janë duke u zhvilluar. Hidrogjeni ka potencial të madh për t’u përdorur si rezervë energjie."

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës 2021, ose COP26, do të mbahet në Nëntor në Glasgow, Skoci./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat