5G mund të paralizojë aviacionin e SHBA

Teknologji

5G mund të paralizojë aviacionin e SHBA

Më: 19 janar 2022 Në ora: 06:30
Foto ilustrim

Kompanitë ajrore të SHBA-së paralajmëruan se rrjeti i ri celular 5G, që pritet të fillojë punën të mërkurën, mund të nxjerrë jashtë përdorimit një numër të konsiderueshëm avionësh të mëdhenj dhe të bllokojë me dhjetëra e mijëra amerikanë jashtë vendit duke shkaktuar kaos në fluturimet ndërkombëtare.

“Në qoftë se qendrat tona kryesore, nuk marrin leje për të operuar, udhëtimi i publikut dhe transportimi i mallrave do të jetë i pamundur”, shkruajnë drejtorët ekzekutivë të disa prej linjave kryesore si American Airlines, Delta Airlines, United Airlines dhe Southwest Airlines.

Administrata Federale e Aviacionit ka paralajmëruar rreth mundësisë që teknologjia e re 5G mund të ndikojë në disa instrumente të ndjeshme të aeroplanit si altimetri dhe të pengojë operimin e avionit në kushtet e motit të keq kur pamja është e dobët. Linjat ajrore të hënën po shqyrtonin mundësinë e anulimit të disa fluturimeve ndërkombëtare, që janë planifikuar të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara të mërkurën.

“Veprimi është i domosdoshëm. Thënë troç, tregtia e vendit do të ndalet”, thuhet në letrën e nënshkruar po ashtu nga UPS Airlines, Alaska Air, Atlas Air, JetBlue Airways dhe FedEx Express.

Administrata Federale e Aviacionit tha se do të vazhdojë punën për të ofruar siguri për udhëtarët, ndërsa shtoi se po përpiqet të pakësojë vonesat dhe anulimet e fluturimeve për shkak të rrjetit të ri 5G. Agjencitë tjera qeveritare nuk kanë bërë ende komente.

Firmat AT&T dhe Verizon, dy kompanitë që fituan të drejtën e ofrimit të shërbimit të ri 5G, kanë rënë dakord që zonat rreth 50 aeroporteve të mbesin neutrale për gjashtë muaj, për të pakësuar rreziqet e ndërhyrjeve të mundshme. Verizon dhe AT&T nuk pranuan të komentojnë, ndërsa kanë argumentuar se rrjeti i ri 5G funksionon me sukses në rreth 40 vende të tjera dhe pa shkaktuar probleme në shërbimin e aviacionit. Disa vende të mëdha, përfshirë Kinën, kanë filluar të përdorin në masë rrjetin 5G, por deri më sot nuk është raportuar asnjë incident me avionët.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat