​Prezantohet raporti “Observatori i Agjendës Digjitale 2022”

Teknologji

​Prezantohet raporti “Observatori i Agjendës Digjitale 2022”

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 18:01
Pamje nga takimi

Organizata “Open Data Kosovo” ka prezantuar sot raportin “Observatori i Agjendës Digjitale 2022”, e cila është zhvilluar në kuadër të projektit ICEDA në Ballkanin Perëndimor që ka për synim implementimin e Agjendës Digjitale në vendet e rajonit.

Koordinatorja e projektit nga Open Data Kosovo Ariana Gjuli, tregoi nëntë pikat e raportit që përfshin kushtet për zbatimin e e-qeverisjes, vullnetin politik dhe strategjitë, koordinimin për zbatimin e e-qeverisjes, korniza ligjore, gjendja e shërbimeve elektronike, aftësitë digjitale, qasja në shërbime dhe ngritja e vetëdijesimit, siguria kibernetike si dhe e-pjesëmarrja dhe e-demokracia.

“Raporti ka për qëllim që ta bëjë një hulumtim që të shpërfaqë situatën në nivel shtetëror në disa prej indikatorëve dhe për progresin e arritur në zbatimin e agjendës digjitale. Elementet kryesore që raporti ka pasur për qëllim të shtjelloj janë qeverisja elektronike, shërbimet online, aftësitë digjitale, pjesëmarrja qytetare, që është punuar gjatë periudhës mars-maj 2022”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se përmes këtij hulumtimi janë identifikuar disa strategji siç janë, Agjenda Digjitale e Kosovës 2013-2020, ndërsa Agjenda Digjitale 2030 është në zhvillim e sipër dhe pritet që ky draft strategji të finalizohet gjatë këtij viti.

“Kjo strategji e re parasheh edhe strategjinë për Siguri Kibernetike, gjithashtu dhe programet e tjera të qeverisjes që lidhen me temat e Agjendës Digjitale, Strategjia e Modernizimit të Administratës Publike dhe Strategjia e Kosovës për IT”, ka thënë Gjuli.

Ajo gjithashtu prezantoi disa prej rekomandimeve për zbatim të Agjendës Digjitale, të cilat janë finalizimi i strategjisë për agjendën digjitale gjatë këtij viti ‘e-qeverisja’, koordinim më i madh ndërmjet institucioneve të vendit në aplikimin e e-qeverisjes, ofrimi i trajnimeve në fushën e TIK-ut.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Open Data Kosovo Blerta Thaçi tregoi disa prej sfidave gjatë hartimit të këtij raporti.

“Sfidat më të mëdha që i kemi hasur janë mungesa e kapaciteteve teknike e institucioneve tona publike. Në zhvillimin e zgjidhjeve të ndryshme digjitale kemi parë se ekzistojnë platforma të shumta të cilat kanë investuar dhe ofruar teknologji të re”, tha ajo.

Open Data Kosovo ka për synim të përçojë te të rinjtë rëndësinë e teknologjisë së informacionit në rritjen e transparencës dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme brenda shoqërisë. Open Data Kosovo ofron një numër projektesh shumë efikase dhe inovative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat