Drejtuesit e Amazon duhet të dëshmojnë në hetimin e Komisionit Federal për Tregti

Teknologji

Drejtuesit e Amazon duhet të dëshmojnë në hetimin e Komisionit Federal për Tregti

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 08:20
Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Andy Jassy duhet të dëshmojnë në hetimin që po bëhet nga Komisioni Federal i Tregtisë se nëse kompania ka mashtruar njerëzit që të abonoheshin në Amazon Prime dhe shërbimet e tjera që i ofrojnë ata, u bë e ditur nga agjencia gjatë së mërkurës.

Vendimi vjen pas pretendimeve të mëparshme të Amazon se stafi i Komisionit Federal të Tregtisë po “ngacmonte” dy burrat dhe po u impononte ngarkesa të panevojshme.

Amazon kishte paraqitur një peticion tek zyrtarët më të lartë të agjencisë duke u kërkuar atyre që të ndërhynin.

Por komisionarët e agjencisë thanë se Amazon nuk kishte përmbushur pragun ligjor për të anuluar fletëthirrjet civile të dhëna për dy burrat.

“Amazon nuk ofron asnjë arsye pse Komisioni duhet të pranojë asgjë më pak se të gjitha dëshmitë përkatëse që mund të marrë nga këta dy dëshmitarë”, shkroi komisionerja e Komisionit Federal të Tregtisë, Christine Wilson, në urdhrin e së mërkurës.

Në një deklaratë, Amazon tha se është “e zhgënjyer, por jo edhe të befasuar që Komisioni Federal i Tregtisë në masë të madhe refuzoi të vendosë kundër vetvetes, por ne jemi të kënaqur që agjencia mbështeti kërkesat e saj më të gjera dhe do t’i lejojë dëshmitarët të zgjedhin avokatin e tyre”.

“Amazon ka bashkëpunuar me Komisionin Federal të Tregtisë gjatë gjithë hetimit dhe ka prodhuar tashmë dhjetëra mijëra faqe dokumente”, bënë të ditur nga kompania.

“Ne jemi të përkushtuar që të angazhohemi në mënyrë konstruktive me stafin e Komisionit Federal të Tregtisë, por mbetemi të shqetësuar se kërkesat e fundit janë tepër të gjera dhe të rënda e të panevojshme, dhe ne do të shqyrtojmë të gjitha opsionet tona”, thuhej tutje në deklaratën e lëshuar nga ana e tyre, raporton CNN.

Kërkesa që liderët më të fuqishëm të Amazon t’i dëshmojnë Komisionit Federal të Tregtisë nënvizon thellësinë dhe gjerësinë e hetimit të agjencisë, i cili mbulon një gamë të gjerë shërbimesh të Amazon.

Filloi në mars 2021 si një hetim për Amazon Prime, dhe nëse Amazon regjistroi automatikisht konsumatorët në program pa pëlqimin e tyre.

Hetimi që atëherë është zgjeruar për të përfshirë mbi dhjetë shërbime të Amazon duke përfshirë Audible, Amazon Music, Kindle Unlimited dhe Subscribe & Save.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat