Prodhuesit japonez të pajisjeve për prodhimin e çipave thonë se nuk kanë informata ne lidhje me kufizimet e reja mbi eksportin në Kinë

Teknologji

Prodhuesit japonez të pajisjeve për prodhimin e çipave thonë se nuk kanë informata ne lidhje me kufizimet e reja mbi eksportin në Kinë

Më: 30 janar 2023 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Prodhuesit japonez të makinerive për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe materialeve të cilat përdoren për prodhimin e çipave të hënën thanë se ata ende nuk kanë marrë informata nga qeveria japoneze në lidhje me kufizimet e eksportit që mund të ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në biznesin e tyre në Kinë.

Reuters i kontaktoi 10 kompani që kanë lidhje me biznesin e çipave – Advantest Corp, Nikon Corp, Resonac Holdings Corp, Lasertec Corp dhe Shin-Etsu Chemical Co Ltd – thanë se nuk janë në dijeni për ndonjë kontakt nga Ministria për Ekonomi, Tregti dhe Industri Japonisë në lidhje me ndonjë kufizim të ri të rënë dakord nga Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Holanda javën e kaluar për të penguar përparimin teknologjik të Kinës rivale.

“Përderisa ne nuk kemi informata mbi situatën, ne nuk mund të komentojmë mbi atë se çfarë ndikimi mund të ketë dhe se cila do të jetë përgjigja jonë ndaj saj”, tha një zëdhënës i Advantest, e cila prodhon makineritë për testimin e çipave dhe pajisjeve të tjera që lidhen me to.

Kufizimet e kaluara në dërgesat e gjysmëpërçuesve të avancuara në Kinë nuk kanë prekur Japoninë, sepse vendi i cili dikur dominonte globalisht prodhimin e çipave, tani e prodhon vetëm një të dhjetën e gjysmëpërçuesve në të gjithë botën, shumica prej tyre më pak të avancuara se çipat që prodhohen nga kompania tajvaneze “Taiwan Semiconductor Manufacturing Co Ltd” (TSMC) dhe kompania jug-koreane “Samsung Electronics Co Ltd”.

Megjithatë, Japonia është një prej furnizuesve kryesor i makinerive të cilat përdoren për të prodhuar ata gjysmëpërçues të avancuar që mund të vihen nën kufizime pas raporteve që Uashingtoni dhe qeveritë e tjera kishin rënë dakord për një marrëveshje për të frenuar eksportet e tyre në Kinë.

“Në vitet e fundit, Koreja Jugore mënyrë konstante e ka mposhtur Japoninë në fushën e gjysmëpërçuesve, por një gjë të cilën ata nuk e kanë janë ‘steppers’” të cilat përdoren për projektimin e qarqeve elektronike në pllakat e silikonit, tha Masahiko Ishino, analist në Institutin për Kërkime Takai Tokyo. Pa i ditur detajet e kufizimeve të reja është e pamundur që të dihet ndikimi që ato do ta kenë, shtoi ai.

Pesë firmat e tjera japoneze të cilat u kontaktuan nga Reuters nuk u përgjigjën kur u pyeten mbi ndikimin e mundshëm të rregullave më strikte të eksportit dhe se nëse ata janë të shqetësuar se nëse Kina do të hakmerret. Në mesin e atyre firmave është edhe “Tokyo Electron Ltd”, prodhuesi më i madh japonez i makinerive për prodhimin e gjysmëpërçuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat