​Apple sjell eksplorimin virtual të Monte Carlo, në prag të F1 Grand Prix

Teknologji

​Apple sjell eksplorimin virtual të Monte Carlo, në prag të F1 Grand Prix

Më: 14 maj 2025 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Apple sjell garën legjendare të Monakos në iPhone, iPad dhe Mac – në prag të Grand Prix të Formula 1 dhe premierës së filmit “F1 The Movie”, njofton CNET.

Në prag të njërës prej garave më ikonike në botë, Apple ka vendosur t’ia sjellë emocionet e garës përdoruesve të saj kudo në botë — përmes një përditësimi mbresëlënës në aplikacionin Maps për iPhone, iPad dhe Mac.

Duke nisur nga kjo e mërkurë, përdoruesit mund të eksplorojnë virtualisht rrugët legjendare të Monte Karlos, që shndërrohen çdo vit në pistën më të famshme të F1, falë përvojës së re vizuale të quajtur Detailed City Experience (Përjetim i qytetit i detajuar).

Në këtë përditësim të veçantë për Monakon, Apple ka përfshirë pamje 3D të jashtëzakonshme të monumenteve si Casino de Monte-Carlo dhe Hôtel de Paris Monte-Carlo, të cilat shfaqen me ndriçim të ditës dhe të natës.

Vetë pista e garës është e vizatuar në hartë me ngjyrë të kuqe të lehtë, duke i dhënë përdoruesit mundësinë të ndjekë çdo kthesë të saj mes rrugëve të ngushta të qytetit bregdetar.

Përditësimi përfshin edhe elemente të tjerë si shënjimet rrugore, korsitë e biçikletave, dhe – në ditët e garës – madje edhe struktura të përkohshme si tribunat, vija e finishit dhe shenjat e kthesave.

Apple ka fshehur edhe disa makina garash F1 në hartë, të cilat mund të zbulohen nga përdoruesit gjatë eksplorimit virtual (këshillë: shikoni edhe nëpër jahte).

Për ata që do ta ndjekin garën nga afër në Monako, Apple Maps mund të shërbejë si një udhërrëfyes i domosdoshëm, duke ofruar informacione në kohë reale për mbylljet e rrugëve, urat për këmbësorë dhe orientimin nëpër qytet.

“Qoftë që tifozët janë në Monako apo duke e ndjekur nga shtëpia, përvoja vizuale Detailed City Experience dhe veçoritë e dedikuara për Çmimin e Madh të Monakos u japin atyre një pamje të jashtëzakonshme të qytetit, në kohën e duhur për garën dhe për premierën e filmit F1 The Movie,” ka thënë Eddy Cue, nënkryetari i lartë i shërbimeve në Apple.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat