​Microsoft do të heqë Teams nga aplikacionet e tjera në Evropë

Teknologji

​Microsoft do të heqë Teams nga aplikacionet e tjera në Evropë

Më: 16 maj 2025 Në ora: 17:31
Foto ilustrim

Gjigandi amerikan i teknologjisë Microsoft është zotuar të heqë Teams, platformën e tij të bisedave nga paketa e softuerit Office për të adresuar shqetësimet e BE-së për konkurrencën, sipas një deklarate të Komisionit të BE-së të premten.

Komisioni Evropian deklaroi se Microsoft ka marrë angazhime të ndryshme në kuadër të hetimit të nisur me arsyetimin se ka shkelur rregullat e konkurrencës duke kombinuar Teams me Office dhe se kërkon reagime lidhur me këto angazhime për një muaj.

Sipas angazhimeve të propozuara nga Microsoft, kompania do të vërë në dispozicion versionet e paketave të saj pa Teams dhe me një çmim të zbritur, do t'i lejojë klientët të migrojnë në paketat jo-Teams sipas kontratave ekzistuese, do t'u ofrojë konkurrentëve të Teams ndërveprueshmëri më të madhe me produkte të tjera të Microsoft dhe do t'i lejojë klientët të migrojnë të dhënat e tyre nga Teams në zgjidhjet konkurruese.

“Palët e interesuara ftohen të paraqesin pikëpamjet e tyre mbi angazhimet e propozuara të Microsoft”, thuhet në deklaratë, transmeton Anadollu.

Angazhimet për ndërveprueshmërinë dhe detyrimet e transportueshmërisë së të dhënave do të jenë të vlefshme për 10 vjet dhe angazhimet e tjera për 7 vjet.

Në vitin 2023, Bashkimi Evropian hapi një hetim ndaj Microsoft për kombinimin e platformës së takimeve dhe bisedave në internet Teams me Office në kundërshtim me ligjet e unionit të konkurrencës.

Komisioni Evropian është i autorizuar të hetojë nëse bizneset që operojnë në vendet e Bashkimit Evropian po angazhohen në praktika kundër konkurrencës.

Në këto hetime, Komisioni Evropian vlerëson nëse ekziston një situatë që është kundër konkurrencës. Nëse konstatohet veprimtari antikonkurruese, Komisioni Evropian e ndalon atë dhe i gjobit bizneset rëndë.

Për t'i dhënë fund hetimit të konkurrencës dhe për të shmangur ndëshkimet, bizneset mund të bëjnë lëshime duke u zotuar se do të korrigjojnë shqetësimet e Komisionit Evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat