Sipas platformës franceze për transmetim muzikor Deezer, deri në shtatë nga dhjetë transmetimet e muzikës të krijuara nga inteligjenca artificiale janë mashtruese.
Kompania tha se muzika e krijuar nga inteligjenca artificiale përbën vetëm 0.5 për qind të transmetimeve në platformën e muzikës, por analiza e saj tregon se mashtruesit janë pas deri në 70 për qind të atyre transmetimeve.
Thibault Roucou, drejtori i të drejtave të autorit dhe raportimit në platformën me bazë në Paris, tha se manipulimi i muzikës së krijuar nga AI ishte një përpjekje për “të marrë disa para nga të drejtat e autorit”, raporton The Guardian.
“Për sa kohë që ka para [në transmetimet mashtruese], do të ketë përpjekje, fatkeqësisht, për të fituar prej tyre”, tha ai. “Kjo është arsyeja pse ne po investojmë për ta luftuar, sepse e dimë që nuk do të zhduket dhe duhet të jemi një hap përpara çdo herë”.
Mashtruesit zakonisht fitojnë të ardhura në platforma si Deezer duke përdorur bot-ë që “dëgjojnë” këngët e krijuara nga AI dhe marrin pagesat e më pasme të të drejtave të autorit, të cilat bëhen të konsiderueshme kur përhapen në shumë këngë.
Kjo taktike ka për qëllim shmangien e masave të zbulimit të shkaktuara nga numri i madh i dëgjimeve për një sasi të vogël këngësh false.
Deezer përdor një mjet që thotë se mund të zbulojë përmbajtje 100 për qind të krijuar nga AI nga modelet më të përhapura të muzikës AI si Suno dhe Udio.
Deezer tha se muzika e krijuar nga AI që transmetohej nga mashtruesit varionte nga muzika e rreme pop dhe rap deri te këngët artificiale të humorit. Platforma bllokon pagesat e të drejtave të autorit për transmetimet që ka identifikuar si mashtruese.
Deezer zbuloi në prill se muzika e krijuar nga AI tani përbën 18 për qind të të gjitha ngarkimeve në platformën e saj ose 20 mijë këngë në ditë. Kompania tha se po hiqte gjithë përmbajtjen plotësisht të krijuar nga AI nga rekomandimet e algoritmit të saj.
Deezer ka mbi 10 milionë abonentë në mbarë botën, ndërsa lideri i tregut Spotify ka 268 milionë.
Roucou tha se nuk e dinte se kush qëndronte pas transmetimeve mashtruese, por autorët dukeshin “të organizuar”.
Tregu global i transmetimeve vlerësohej në 20.4 miliardë dollarë vitin e kaluar, sipas organizatës tregtare IFPI, duke përfaqësuar një objektiv të madh për mashtruesit.
Në raportin e fundit global të muzikës, IFPI tha se transmetimi mashtrues vjedh para që “duhet t’i shkonin artistëve të ligjshëm”. Ajo tha se AI gjeneruese e kishte “forcuar ndjeshëm” problemin.
Vitin e kaluar, një muzikant në SHBA, Michael Smith, u akuzua lidhur me një skemë për të krijuar qindra-mijëra këngë të krijuara nga AI dhe për t’i transmetuar ato miliarda herë, duke marrë 10 milionë dollarë në pagesa të të drejtave të autorit.