Lamtumirë përgjithmonë: Xiaomi e mbylli sistemin e vet operativ

Teknologji

Lamtumirë përgjithmonë: Xiaomi e mbylli sistemin e vet operativ

Më: 26 mars 2026 Në ora: 14:07
Xiaomi

Xiaomi ka mbyllur zyrtarisht MIUI, i cili me kalimin e kohës u bë një nga ndërfaqet më të njohura Android në botë, me më shumë se 500 milionë përdorues aktivë në muaj në kulmin e tij.

Pas prezantimit të HyperOS, Xiaomi përditësoi miliona pajisje në sistemin e ri operativ, ndërsa shumë të tjera u futën në listën e pajisjeve që kanë arritur fundin e ciklit të jetës (EOL).

Megjithatë, dy pajisje vazhduan të marrin përditësime MIUI edhe gjatë vitit 2026 – bëhet fjalë për modelet Redmi A2 dhe Redmi A2+. Ato morën Android 13 si përditësimin kryesor, por vazhduan të marrin përditësime sigurie dhe përmirësime më të vogla.

Përditësimi i fundit për to erdhi në dhjetor, ndërsa sipas faqes zyrtare, mbështetja përfundoi më 24 mars 2026. Me këtë, edhe pajisjet e fundit me MIUI ndalojnë së marri çdo përditësim softuerik.

Kjo shënon fundin përfundimtar të MIUI, i cili fillimisht nisi si një projekt “custom ROM” për telefonë Android të prodhuesve të tjerë.

MIUI ishte në fakt produkti i parë i Xiaomi-t, i prezantuar në gusht 2010 dhe i bazuar në Android 2.2 Froyo. Versionet e para shpërndaheshin si ROM i personalizuar për telefona Android.

Pse Xiaomi kaloi në HyperOS?

Në tetor 2023, Xiaomi njoftoi zyrtarisht se sistemi i ri operativ HyperOS do të zëvendësojë MIUI. Pak ditë më vonë, u lançua Xiaomi 14 si telefoni i parë me HyperOS të instaluar.

Kompania mori këtë vendim sepse po bëhej gjithnjë e më e vështirë të lidhte qindra miliona pajisje në mbi 200 kategori produktesh (nga telefonat te pajisjet shtëpiake dhe makinat).

Kjo krijonte probleme me zhvillimin e unifikuar dhe përvojën e lidhjes mes pajisjeve. Për këtë arsye, Xiaomi nisi zhvillimin e një sistemi të ri që nga viti 2014, me synimin për të krijuar një platformë të integruar për të gjitha pajisjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat