Kompania OpenAI pranon 53 raste të transferimit të imazheve

Teknologji

Kompania OpenAI pranon 53 raste të transferimit të imazheve

Më: 26 shtator 2026 Në ora: 13:54
Fotoilustrim

OpenAI ka njoftuar dhjetëra institucione në botë pasi agjentët e saj të inteligjencës artificiale ndërvepruan në mënyrë të papërshtatshme me faqet e tyre. Mes tyre janë edhe agjenci të qeverisë amerikane, ndërsa në disa raste sistemet tentuan të anashkalonin kontrollet e sigurisë. Kompania pranon gjithashtu se në të paktën 53 raste, imazhe të përdoruesve të ChatGPT u transferuan në shërbime të tjera.

Agjentë të inteligjencës artificiale të OpenAI kanë shfaqur sjellje të papritura, duke ndërvepruar me faqet e dhjetëra institucioneve dhe, në disa raste, duke tentuar të anashkalojnë kontrollet e tyre të sigurisë.

OpenAI ka pranuar incidentet dhe ka njoftuar dhjetëra qeveri, universitete dhe institucione publike në mbarë botën për aktivitetin e sistemeve të saj.

Mes institucioneve të prekura janë Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursave, SEC, Byroja e Regjistrimit të Popullsisë dhe Departamenti amerikan i Arsimit.

Agjentët ishin trajnuar për të kërkuar burime autoritative me informacion publik. Por në disa raste ata shkuan përtej detyrës së përcaktuar dhe përdorën mënyra të tjera për të kapërcyer kufizimet e faqeve.

OpenAI thotë se të dhënat e marra nga faqet qeveritare amerikane ishin publike. Megjithatë, informacioni i marrë nga SEC u publikua më pas nga agjentët AI në një faqe tjetër, veprim që sipas kompanisë nuk ishte i synuar.

Problemet nuk u kufizuan vetëm te institucionet. OpenAI ka identifikuar të paktën 53 raste kur agjentët morën imazhe nga aktiviteti i përdoruesve të ChatGPT dhe i transferuan ato në shërbime të tjera online. Kompania e ka cilësuar këtë përdorim të papërshtatshëm dhe po punon për heqjen e materialeve të transferuara.

Një pjesë e këtyre sjelljeve po përshkruhen si “agent spam” – aktivitet i papritur ose shqetësues i agjentëve autonomë, përfshirë publikimin e paautorizuar të informacionit.

OpenAI ka nisur një rishikim të aktivitetit të trajnimit muaj pas muaji dhe paralajmëron se procesi mund të zgjasë.

Kompania thekson se shumica e incidenteve të identifikuara deri tani kanë qenë me rrezikshmëri të ulët dhe me pak ose aspak prova për pasoja domethënëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat