Qentë robotikë që po sjellin buzëqeshje në spitalet e Japonisë

Teknologji

Qentë robotikë që po sjellin buzëqeshje në spitalet e Japonisë

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 09:09
Fotoilustrim

Qentë robotikë Aibo, të prodhuar nga kompania japoneze Sony, po gjejnë një mision të ri në spitalet e Japonisë.

Përmes një programi të posaçëm adoptimi, Sony po riparon dhe përmirëson robotët e dhuruar nga ish-pronarët, për t’i vendosur në institucione shëndetësore dhe ambiente të tjera, ku ofrojnë mbështetje emocionale për pacientët dhe personelin, raporton Associated Press (AP).

Qentë robotikë Aibo dolën për herë të parë në treg në vitin 1999, ndërsa aktualisht nuk prodhohen më.

Të pajisur me sensorë, kamera digjitale dhe teknologji inteligjente, robotët janë programuar të mbajnë mend emrin e tyre, fytyrën e pronarit dhe ambientin përreth.

Ata lehin, lëvizin veshët, reagojnë ndaj përkëdheljeve, fotografojnë dhe imitojnë sjelljen e një qeni të vërtetë.

“Pronarët ndihen sikur po përcjellin dikë që për ta është bërë si fëmija i tyre”, ka thënë Yoshiyuki Katsuno, zyrtar i Sony-t që mbikëqyr programin.

Robotët që ndihmojnë fëmijët të kapërcejnë frikën nga spitali

Në spitalin universitar St. Marianna, në Kawasaki, pranë Tokios, Aibo po ndihmon pacientët të përballojnë pritjet e gjata dhe po inkurajon fëmijët që hezitojnë t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

“Ai ndihmon në motivimin e fëmijëve. Të shkosh në spital, në përgjithësi, nuk është shumë e këndshme”, ka thënë mjeku Manabu Komori.

Spitali përdor gjithashtu qen të vërtetë për të përmirësuar gjendjen emocionale të pacientëve. Megjithatë, robotët ofrojnë disa përparësi, pasi nuk kanë nevojë për ushqim dhe kujdesin e përditshëm që kërkojnë kafshët.

Sony nuk ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të robotëve Aibo të shitur dhe as çmimin e tyre.

Përmes këtij programi, kompania synon të nxisë ndërveprimin njerëzor dhe të shfrytëzojë teknologjinë për mirëqenien emocionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat