Tetovë, vdekshmëria ende në nivele të lartë si pasojë e ndotjes

Tetova

Tetovë, vdekshmëria ende në nivele të lartë si pasojë e ndotjes

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 18:52
Foto ilustrim

Dukshëm është përmirësuar gjendja me ndotjen e ajrit në rajonin e Tetovës. Kjo haset më shumë se gjatë muajve të fundit dhe më shumë i referohet mbylljes të kapaciteteve prodhuese, orës policore që erdhën si pasojë e pandemisë Covid 19.

Sipas mjekut Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, edhe pse ka përmirësim të ndotjes së ajrit, megjithatë gjendja nuk është siç duhet, ngase ende qytetarët thithin grimca të dëmshme në ajër, respektivisht grimcat PM 10 kanë arritur deri 100 mikrogram në metër kub këtë vit, për dallim nga vitet paraprake kur këta grimca kishin arritur deri në 130 mikogram në metër kub.

Masa e lejuar është 50 mikograma andaj ajri është i ndotur dyfish në Tetovë.

“Edhe pse shifrat tregojnë se kemi një përmirësim të cilësisë së ajrit, megjithatë kjo nuk duhet të merret si sukses apo të kënaqemi me këtë, ngase sërish niveli i ndotjes së ajrit në Tetovë është dyfish më i lartë nga e lejuara, sepse Tetova end mban vendin e parë për nga numri i vdekshmërisë për kokë banori si pasojë e ndotjes së ajrit. Çështja kyçe që dua të potencoj është se nëse do të ulet ndotja e ajrit, sa jetë do të shpëtonim dhe me këtë dukshëm do të ulej edhe numri i vdekjeve në Tetovë, pra nga 160 deri në 190 jetë njerëzish brenda vitit do të shpëtoheshin si pasojë e ndotjes së ajrit”, tha Davidovski.

Në përmirësimin e kësaj gjendje ka ndikuar edhe përdorimi më pak i drurit si lënde djegëse respektivisht vënia në përdorim gjithnjë e më shumë e peletave dhe inverterëve. Këta metoda të ngrohjes, sipas Davidovskit, duhet gjithnjë e më shumë të stimulohen nga ana e shtetit, me qëllim që niveli i ndotjes së ulet më shumë. Ai nënvizon se krahas lëndëve djegëse, ndotës tjetër mjaft i madh janë veturat.

“Nëse do të numëronim faktorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit, në vendin e parë janë amvisëritë që përdorin drurin për ngrohje, sepse nëse shohim në bazë ditore, ndotja fillon të rritet pas orës 17 kur ndizen koftorët. Faktorë tjetër është komunikacioni dhe këtu dua të potencoj se kur kishte orare më të gjata të orës policore niveli i ndotjes ishte dukshëm më i ulët. Përdorimi i peletave poashtu jep efekte pozitive dhe kjo mënyrë e ngrohjes duhet ende të stimulohet”, deklaroi për Koha, Davidovski.

Se niveli i ndotjes së ajrit ka përmirësim këtë e tregojnë edhe shifrat, ku nëse në muajin janar të vitit 2020 kishim 28 ditë me ajër të ndotur, në janar të këtij viti ka patur vetëm 17 ditë me ajër të ndotur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat