Komuna e Tetovës, ende nuk janë emëruar udhëheqësit e sektorëve dhe drejtorive

Tetova

Komuna e Tetovës, ende nuk janë emëruar udhëheqësit e sektorëve dhe drejtorive

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Në Komunën e Tetovës ende nuk janë emëruar udhëheqësit e sektorëve dhe drejtorive që funksionojnë në kuadër të kësaj komune. Nga kjo e fundit thanë se shumica prej tyre janë ndërruar dhe funksionojnë me ushtrues detyre të rinj, por nuk ka emërime të reja deri tani për këto pozicione. Për shumë vendime nevojitet formimi i këshillit, i cili ende nuk është formuar.

Në kuadër të komunës së Tetovës funksionojnë tetë sektorë dhe tre njësi të tjera, si Njësia Territoriale Kundër Zjarrit, Seksioni për Revizion të Brendshëm dhe Seksioni për Resurse Njerëzore.

“Momentalisht janë ndërprerë autorizimet e udhëheqësve të sektorëve dhe funksionojnë me ushtrues detyre. Përveç Njësisë Territoriale ku ende është Uka Aliti. Emërime të reja nuk ka” tha zëdhënësi i komunës për Portalb.mk.

Të pyetur për atë se pse janë ndërprerë, nga Komuna e Tetovës u përgjigjën kështu:

“Disa edhe vetë kanë dhënë dorëheqje. Tani funksionojnë me ushtrues detyre, ndërsa emërime për drejtor nëpër ndërmarrje ende nuk ka.”

Bilall Kasami gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në #Debatpërnime premtoi se kur do të bëjë emërimet e sektorëve dhe drejtorive, nga 11 prej tyre premtoi se gjashtë do të udhëhiqen nga gra, deri më tani vetëm 3 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga gratë.

Zëdhënësi i Komunës së Tetovës njoftoi se nesër do ketë konferencë për shtyp nga kryetari Bilall Kasami, i cili do të shpalos planet për 100 ditëshin e udhëheqjes me komunën. Kjo ishte e paraparë për sot, por siç njoftojnë nga Komuna është shtyrë për nesër për shkak të agjendës.

Qytetarët vazhdojnë të presin formimin e këshillit komunal. Kryetari Bilall Kasami, të premten njoftoi se për sot do të mbahet mbledhja e parë e Këshillit të Komunës së Tetovës. Ai tha se çështja e këshillit është zgjidhur, por nga çështja e zhvillimeve të fundit që ndodhën në nivel qendror e kanë prolonguar takimin për të hënën. Ai shtoi se kur do të mbahet mbledhja do ta kuptojmë edhe shumicën, apo si do të funksionojë këshilli. Por kjo sot nuk do të ndodh pasi zëdhënësi i komunës njoftoi për Portalb.mk se kjo është paraparë të ndodh ditën e enjte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat