Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) ka realizuar mbledhjen e dytë të Këshillit Drejtues, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit, aktivitetet e realizuara dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.
Me thirrjen e kryetarit të OEMVP-së, Sami Morina, anëtarët e Këshillit Drejtues u mblodhën në ambientet e kompanisë anëtare Hotel Mercure në Tetovë.
Një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte TOP 100™ 2026, ngjarje e cila u realizua me sukses, duke vënë në pah arritjet e bizneseve më të suksesshme dhe kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik.
Gjatë mbledhjes, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Planit Vjetor të OEMVP-së për vitin 2027, i cili përcakton drejtimet e angazhimit, aktivitetet dhe objektivat që do të udhëheqin punën e Odës gjatë vitit të ardhshëm.
Ky plan synon krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e bizneseve, forcimin e bashkëpunimit me akterët ekonomikë dhe adresimin e nevojave të sektorit privat.
Në kuadër të takimit u diskutuan edhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Odës dhe angazhimet e saj të ardhshme.
Përmes këtyre takimeve, OEMVP synon të koordinojë veprimtarinë institucionale, të përcaktojë objektiva konkrete dhe të avancojë iniciativa që kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bizneset dhe zhvillimin ekonomik.