Sa shqiptarë shkuan me pushime këtë verë?

Turizëm

Sa shqiptarë shkuan me pushime këtë verë?

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 06:08
Foto ilustrim

Kjo ishte verë e ‘nxehtë’ si në mot ashtu edhe në çmime. Për mjaft qytetarë pushimet verore u bënë të papërballueshme.

Përveç naftës, çmimet e çadrave dhe shërbimeve të tjera janë u rritën së paku me 60% vetëm këtë sezon.

Çmimi i një çadre u rrit me 60%, në 800 lekë në rastin më të mirë nga 500 lekë që ishte vitin e kaluar. Gjithashtu, çmimet janë rritur edhe në bare dhe restorante. Një kafe e shoqëruar me ujë kushtoi së paku 30% më shtrenjtë se vitin e kaluar.

Kostot e larta të plazheve popullore që frekuentohen nga shtresa mesatare e qytetarëve, po i kthejnë ata në plazhe “luksi”. Për shkak të çmimeve të larta, frekuentimi i tyre është ulur ndjeshëm.

Administratorët e plazheve pohuan se numri i frekuentuesve në fundjavë ka rënë së paku me 50%, duke i çliruar ata që kanë mundësi të përballojnë kostot, prej trafikut dhe mbipopullimit. Por, sipas tyre, rritja ishte e pashmangshme prej rritjes së qirave, lëndëve të para etj.

Popullsia me të ardhura nën mesataren dhe shtresa e pensionistëve e ka të vështirë të përballojë kostot e pushimeve këtë vit.

Pushuesit janë në pjesën dërrmuese të tyre nga Kosova, emigrantë ose të huaj dhe vendasit në raporte me ulëta.

Barometri i Ballkanit për vitin 2022 tregoi se 60% e shqiptarëve të anketuar kanë pohuar se nuk mund të përballojnë shpenzimet as për një javë pushime në vit. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon.

30% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një borxh. Më shumë se gjysma e tyre kanë marrë hua nga familjarët dhe të afërmit ndërsa 45% i janë drejtuar bankave apo institucioneve të tjera financiare, sipas një vrojtim nga Banka e Shqipërisë për pasuritë e familjeve shqiptare.

Shumë qytetarë i drejtohen gjithashtu borxhit, për të bërë disa ditë pushime brenda ose jashtë vendit.

Këtë korrik, shqiptarët kanë zgjedhur masivisht të pushojnë jashtë Shqipërisë, duke shënuar një rekord për daljet e regjistruara që ishin rreth 556 mijë.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për lëvizjet e shtetasve në muajin Korrik tregojnë se daljet shënuan një rekord në raport edhe me vitin që mbante deri tani shifrën më të lartë që ishte 2019. Kjo rritje e Korrik 2022 me atë të vitit 2019 ishte me të paktën 8 për qind.

Të marra si 7 mujor daljet e shtetasve shqiptarë llogariten në mbi 3 milionë duke qëndruar në nivelin 3 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 që është aktualisht viti me shifrën më të lartë të daljeve në 7 muaj.

Një tendencë e tillë e daljeve masive ishte e pritshme në kushtet kur mbyllja përgjatë dy viteve të pandemisë i kufizoi lëvizjet dhe detyroi shqiptarët të pushojnë kryesisht brenda vendit.

Një faktor tjetër që ka ndikuar ishte perceptimi i çmimeve të larta të pushimeve në vend por edhe ofertave agresive të ofruara nga vende të tilla si Turqia, Greqia, Mali i Zi për pushime “all inclusive”./noa/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat