Jeni duke kërkuar një vend për pushime me buxhet të ulët? Ju rekomandojmë pesë destinacionet më të mira në vitin 2025, duke nisur nga Shqipëria, Spanja, Egjipti, Norvegjia dhe Bosnje-Hercegovina, kështu shkruan në një artikull e përditshmja britanike “Independent”.
Shumica e turistëve britanikë kërkojnë të eksplorojnë destinacione të reja dhe në zhvillim, në vend të destinacioneve të njohura, të mbipopulluara dhe të shtrenjta për pushime.
Për fat të mirë, ka mjaft mundësi për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa bërë kompromis me diellin apo cilësinë e përvojave. Mes këtyre destinacioneve është edhe Shqipëria.
Sipas të përditshmes britanike, Shqipëria klasifikohet si vendi më i mirë për aventura.
“Qoftë duke shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke zbuluar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra të shndritshme, Shqipëria ka një ngjashmëri të madhe me fqinjën e saj elegante përtej detit Adriatik. Por, krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, vendet e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira”, shkruan Independent.
Mund të vizitoni sitet kulturore, të mësoni rreth të kaluarës përmes arkitekturës osmane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit, Tiranës, të ecni në shtigjet që të çojnë në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe të relaksoheni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.
Udhëtimi tetëditor kushton 1,025 euro për person, duke përjashtuar fluturimet.