Kosova nderohet me çmim nga Rumania për rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë

Turizëm

Kosova nderohet me çmim nga Rumania për rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë

Më: 23 nëntor 2025 Në ora: 11:19
Kosova

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Turizmit të Rumanisë, Travel Pro, ka nderuar Kosovën me Çmimin e Ekselencës “Rising Star” për vitin 2025, duke e renditur si një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë në hartën evropiane të turizmit.

Duke shfaqur videon “Kosova në 1 minutë”, në përshkrimin e bërë para të pranishmëve dhe në motivacionin zyrtar të çmimit, organizatorët vlerësuan Kosovën për guximin, energjinë dhe frymën e re që po sjell në tregun turistik të rajonit.

“Kosova vlerësohet me këtë çmim për guximin dhe energjinë e një destinacioni që sapo ka filluar udhëtimin e tij dhe që tashmë po lë gjurmë në hartën e turizmit evropian. Hap pas hapi, Kosova po bëhet një simbol i hapjes, mikpritjes dhe frymës së re të Ballkanit.”

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Travel Pro Stars 2025” morën pjesë diplomatët e ARKSS, Bujar Deskaj dhe Bekim Misini, të cilët falënderuan organizatorët për ftesën dhe vlerësimin e dhënë.

“Ky çmim është një vlerësim i mikpritjes tradicionale, trashëgimisë kulturore, si dhe përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve, sektorit privat dhe komunitetit të turizmit për ta pozicionuar Kosovën në hartën ndërkombëtare të destinacioneve turistike.”

Eventi u zhvillua në Bukuresht, në kuadër të panairit ndërkombëtar tradicional “Romexpo”, i cili mblodhi personalitete të njohura të sektorit të turizmit, gazetarë profesionistë dhe përfaqësues të destinacioneve kryesore evropiane e botërore.

Drejtuesit e asociacionit “Travel Pro”, kanë realizuar një vizitë në Kosovë në muajin shtator të këtij viti ku kanë takuar drejtuesit e KIESA-s dhe UTK-së me të cilët kanë diskutuar për potencialin turistik të vendit, mundësitë për bashkëpunim dhe promovimin e përbashkët në tregjet ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat