Zbardhet plagosja në Vlorë/ Kunati i dhunoi të motrën, 18 vjeçari e qëlloi me armën e të atit

Vlora

Zbardhet plagosja në Vlorë/ Kunati i dhunoi të motrën, 18 vjeçari e qëlloi me armën e të atit

Më: 1 janar 2021 Në ora: 14:11
Vlorë

Plagosja me armë që ndodhi ditën e djeshme në Vlorë është zbardhur nga policia.

Mësohet se 25 vjeçari Xhuliano Muço ka dhunuar bashkëjetuesen e tij dhe babain e saj, Altin Koço, 46 vjeç, gjatë një konflikti familjar në lagjen “Partizani”. Ka qenë 18 vjeçari me iniciale K.K. që me armën e shërbimit të të atit ka qëlluar Muçon, duke e lënë të plagosur jashtë rrezikut për jetën.

Muço është arrestuar në flagrancë nga policia, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjithashtu është arrestuar edhe autori 18 vjeçar për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Xhuliano një ditë më parë kishte dhunuar bashkëjetuesen e tij e cila ishte larguar nga shtëpia. 25 vjeçari ka shkuar në shtëpinë e babait të saj një ditë më pas për ta marrë atë në shtëpi. Por debati ka agravuar në dhunë fizike ndaj të resë dhe babit të saj nga ana e Xhulianos.

Në momentin e ngjarjes, Xhuliano Muço ka qenë i shoqëruar nga disa të afërm të tij, të cilët kishin shkuar për të sqaruar konfliktin mes tij dhe bashkëjetueses.

“Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në familje, ku shtetasi Xh.M ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij dhe babait të saj shtetasit A. K., 46 vjeç banues në lagjen “Partizani”, Vlorë (familjarë të autorit të ngjarjes, shtetasit K.K).

Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë  dhe  shtetasi Xh.M, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Si dhe janë proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës” shtetasit N. H., K.H., F. H., (familjarë të shtetasit të dëmtuar M. H), pasi këta të fundit kanë dhunuar banesën dhe kanë kanosur shtetasin A. K dhe familjarët e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Altin Koço ka deklaruar fillimisht ditën e djeshme se drejt Xhuliano Muços ka qëlluar djali 15 vjeçar i familjes, por nga hetimet dhe vëzhgimet e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se ka qëlluar 18 vjeçari.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat