Refuzimi për marrjen e provave shtesë në Vlorë, Leskaj: KAS, palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve

Vlora

Refuzimi për marrjen e provave shtesë në Vlorë, Leskaj: KAS, palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve

Më: 19 maj 2021 Në ora: 12:23
Bujar Leskaj

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve refuzoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për të marrë prova nga institucionet shtetërore për pretendimet e opozitës për krime zgjedhore në qarkun e Vlorës.

Deputeti i zgjedhur, Bujar Leskaj, në një deklaratë për mediat tha se PD paraqiti prova të qarta rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga përdorimi i drejtuesve të disa institucioneve për blerjen e votave përmes përdorimit të resurseve publike, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legalizimit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës.

Ndaj sipas tij, refuzimi për të marrë informacionin zyrtar për të gjitha keto shkelje që kanë lënë gjurmë në sistem dhe që masakruan zgjedhjet e lira e të ndershme, tregon që KAS po bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Deklarata e plotë

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ u ngrit si një organ që duhet të garantonte të drejtën e shqiptarëve për votën e lirë. Ky mision po zhbëhet çdo ditë nga 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste, të cilët po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera.

Pas Gjirokastrës dhe Beratit, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS refuzuan t’u kërkojnë institucioneve shtetërore provat zyrtare të blerjes së zgjedhjeve përmes shtetit dhe krimit edhe në qarkun e Vlorës.

KAS refuzoi të bëjë drejtësi për qytetarët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Himarës, Selenicë, Konispolit, sepse antarët e KAS-it duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga sekti Rama.

Ne paraqitëm provat tona se në qarkun e Vlorës rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga përdorimi i drejtuesve të disa institucioneve për blerjen e votave përmes përdorimit të resurseve publike, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legalizimit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës.

Duke refuzuar rë marrë informacionin zyrtar për të gjitha keto shkelje që kanë lënë gjurmë në sistem dhe që masakruan zgjedhjet e lira e të ndershme,  KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Dosja e qarkut të Vlorës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por ne e dimë se sekti Rama ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të qytetarëve vlonjatë dhe shqiptarëve.

Sot e kësaj dite, KAS refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta: Pse refuzon të marrë informacion në zyrat e Kadastrës për legalizimet elektorale, në zyrat e Bashkisë dhe disa agjencive qeveritarë për punësimet e paligjshme elektorale, përdorimin e paligjshëm të burimeve publike? Pse refuzon t’u kërkojë agjencive ligjzbatuese informacion për përfshirjen e krimit në blerjen e votës.

Për të bërë transparencë duhet vullnet dhe kurajo, për të zbatuar ligjin dhe jo urdhrat e regjimit Rama.

Kur e nisëm këtë betejë e dinim që institucione si KAS nuk e duan të vertetën dhe nuk do të bëjnë drejtesi, por është detyra jonë të paraqesim të gjitha provat. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe për shqiptarët!

Rama dhe sekti i tij mund ta pengojë për pak, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat