Klinaku: Ngërçin politik po e krijojnë humbësit

Zgjedhjet 2014

Klinaku: Ngërçin politik po e krijojnë humbësit

Më: 10 gusht 2014 Në ora: 14:49

Lëvizja për Bashkim konsideron se vetëm zgjedhjet e reja janë shpëtim për Kosovën.

Kryetari i kësaj partie Avni Klinaku, e ka fajësuar bllokun opozitar për, siç ka thënë ai, bllokim të situatës politike. Në një bisedë për transmetuesin publik, Klinaku po ashtu tha se është e padiskutueshme e drejta koalicionit PDK dhe Lëvizjes për Bashkim, për formimin e qeverisë.

Situata politike pas zgjedhjeve të 8 qershorit ka shkuar drejt bllokimit të formimit të institucioneve të reja në Kosovë. Një vlerësim të tillë e jep kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku i cili thotë se një situatë e tillë ka krijuar pasoja në mënyrën e qeverisjes, zhvillimin ekonomik, gjendjen sociale dhe në të gjitha fushat tjera. Avni Klinaku, subjekti i të cilit është në koalicion parazgjedhor me PDK-në, për situatën politike të krijuar në Kosovë, fajin ia hedh koalicionit pas zgjedhor që përbëhet nga LDK, AAK dhe NISMA.

“Ngërçin politik po e krijojnë humbësit e zgjedhjeve. Lideri i AAK-së me çdo kusht po dëshiron që të bëhet kryeministër, Isa Mustafa edhe përkundër humbjeve në Prishtinë por edhe në Kosovë nuk do me dhanë dorëheqje. Ndërsa, tendencat e Vetëvendosjes që çfarëdo tollovie të bëhet për të ardhur në pushtet janë të qarta. Kështu që për mendimin tim se përse ka ardhur deri te kjo situatë është krejtësisht e qartë”, ka theksuar Avni Klinaku.

Tejkalimin e ngërçit politik, Klinaku e sheh në zgjedhjet e reja. Ai ka thënë për Radio Kosovën se vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta hiqnin mjegullën politike në vend.

“Pas 8 qershorit është krijuar një situatë krejtësisht e re elektorale. Ka subjekte politike që po pretendojnë se mund të shkojnë bashkë në zgjedhje e kjo nuk është testuar në elektorat. Prandaj, institucionet dhe presidenca duhet që të gjithë të mobilizohen që të mbajmë prapë zgjedhje të mira në mënyrë që ta nxjerrim një qeveri stabile”, ka shtuar Klinaku.

Ndryshme kreu i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, shprehet i bindur se qeverinë e ardhshme do ta formojë PDK-ja dhe koalicioni që është arritur para zgjedhjeve të 8 qershorit. Sipas tij, këtë të drejtë e kanë vetëm ato subjekte që kanë dalë fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat