E kremtja e Pashkëve në Misionin e Luzernit - Bota Sot
E kremtja e Pashkëve në Misionin e Luzernit

Zvicra

E kremtja e Pashkëve në Misionin e Luzernit

Nga: Don Agimi Më: 23 prill 2019 Në ora: 15:19
E kremtja e Pashkëve në Misionin e Luzernit

Pas shtatë javë përgatitjesh për këtë të kremte; me lutje, agjërim, vepra bamirësie e përshpirtëri të tjera, duke përfshirë edhe Udhën e Kryqit apo përtëritjen shpirtërore Kreshmore, Misioni në Luzern, solemnisht, kremtoi festën më të madhe të krishterimit, atë të Pashkëve – Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Java e Madhe, si çdo vit, u shënua me kremtimin e mistereve më të thella të fesë sonë të krishterë. Veçojmë pjesën e dytë të kësaj Jave, e përbërë nga Treditëshi i Shenjtë i Zotërisë së kryqëzuar, varrosur dhe ringjallur, që është koha kulmore e kremtimit të mistereve të shëlbimit tonë: Të Mundimeve, Vdekjes dhe Ringjalljes së Krishtit. Të krishterët e parë pas Ringjalljes së Zotërisë dhe të ngriturit të tij në qiell, mblidheshin për të bashke ndarë bukën në pritje të kthimit të tij. Shpesh shumë njerëz e pyesin veten po përse duhet të festohet nata e Pashkëve?! Në fakt festa e Pashkëve është më e vjetër se ajo e Krishtlindjes. Sepse të krishterët e parë fillimisht kanë festuar dhe shpallur Lajmin e gëzueshëm, “εὐαγγέλιον”, Ungjillin, pra se Krishti është ringjallur prej së vdekurish.

Ritet e kësaj jave u kremtuan në kishën e Shën Mihillit në Luzern. Të Enjten e madhe, mesha u kremtua me besimtarë ndër të cilët i kishim përzgjedhur edhe në rolin e apostujve. Pas meshës kishte adhurim dhe rrëfime deri në mesnatë.

Të Premten e Madhe, Udha e Kryqit në Einsiedeln nga tre Misionet Shqiptare në Zvicër, më pas, në Luzern në mbrëmje, u bë kremtimi i riteve që parashihen: Shërbesa e Fjalës, adhurimi i Kryqit dhe Kungimi. Pas këtyre riteve, sërish deri në mesnatë, besimtarët vazhduan me lutje dhe meditime para Varrit të Krishtit të përgatitur nga motrat në kapelën e kishës së Shën Mëhillit.

Të Shtunën në mbrëmje, u kremtua mesha e Vigjiljes që është më e pasura për nga ritet e shenjta: Atë të Dritës, Shërbesës së Fjalës, të pagëzimit dhe asaj Eukaristike. Në kremtimin e kësaj nate të shenjtë, të cilën Shën Augustini e quan “nënë e të gjitha netëve të krishterimit”, mori pjesë numër i madh i besimtarëve. Ceremoninë  e kësaj nate që filloi në orën 21 e zgjati rreth dy orë, e jetuam në frymën e lutjeve dhe falënderimeve Zotit për hiret e bekimet e shumta që na jep. Ndezja dhe bekimi i zjarrit prej të cilit ndezëm Qiriun e Pashkëve - simbol i Krishtit të ngjallur, këndimi i himnit të Qiriut të Pashkëve nga Don Agimi, pasoi me leximet dhe shërbesat e tjera që pasuruan jetën shpirtërore të çdo pjesëmarrësi në këtë meshë. Një numër i tyre po merrte pjesë për herë të parë në këto rite, dhe mbeten të mahnitur nga ecuria, bukuria dhe përmbajtja e tyre. Don Agimi në pretkun e rastit, përveç urimit për festë, ftoi të pranishmit të luten për familjet që kohët e fundit kanë pasur raste pikëllimesh. Këto ditë festash janë më të varfra për ta, sepse u mungojnë të dashurit e tyre. Pastaj për të sëmurët, të varfrit e të vetmuarit, që Krishti të jetë ngushëllimi dhe shpresa e tyre. Ai u foli në mënyrë të veçantë të rinjve, e që ishin të shumtë në numër, që të jenë të qëndrueshëm në fe, ndjekës dhe ushtrues të atij besimi që kanë trashëguar nga të parët, sepse do t’ua shndrisë rrugën e jetës, pa marrë parasysh rriten e tyre në jetën profesionale. Angazhimi i tyre në këtë drejtim, do ta ushqejë shqip jetën e tyre shpirtërore, duke bërë që të ruhet gjuha, tradita e shumë vlera të tjera shqiptare. Kjo meshë u përmbyll me bekimin e bukës së Pashkëve, e cila do të jetë burim i lutjes dhe bekimit për anëtarët që ushqehen prej saj.

Të dielën e Pashkëve, rreth një orë para fillimit të meshës, kishat ishin të mbushura me besimtarë. Megjithëse shumë mërgimtarë kanë vendosur që këtë festë ta kremtojnë në Kosovë, kisha e Zemrës së Krishtit në Goldau dhe ajo e Shën Gjergjit në Sursee, na bënë ta ndjejmë një pjesë të vendlindjes edhe në mërgatë. Të gjithë pjesëmarrësit, për qëndrimin e tyre me dinjitet, ashtu siç i ka hije vendit të shenjtë, i përgëzoj dhe falënderoj sepse ishin për çdo lëvdatë. Urojmë dhe lutemi që Krishti – Zoti ynë, të shpërblejë lutjet e të gjithëve, që të kenë paqe dhe bekime në jetët e tyre.

Me këtë rast, në emër të motrave që shërbejnë në Mision, falënderojmë të gjithë ata që angazhohen sidomos në këto festa, që kremtimet të jenë solemne dhe të kenë mbarëvajtje të mirë: Këshillin, Korin, Lexuesit, Ndarësit e Kungimit, Ministrantët dhe të gjithë të tjerët që na gjinden pranë në këto organizime.

Ky kremtim solemn do të vazhdojë gjatë gjithë kohës së Pashkëve, deri të dielën e Rrëshajëve (50 ditë pas Pashkëve), duke kremtuar në lavdërim dhe gëzim, si të ishte kjo kohë një ditë e vetme feste apo si e “diela e madhe”.

Bëftë Zoti që në mbarë botën të mbretërojë paqja, si fryt i mirëkuptimit mes njerëzve; dashuria mes tyre, si fryt i faljes dhe pajtimit; ndërtimi i së ardhmes, falë bashkëpunimit me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Për shumë mot Pashkët! Aleluja!

Për Misionin: Angjelina Markaj-Gjokaj.

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...