Shtetësia zvicerane; nuk është një e drejt e fituar një herë e përgjithmonë!

Zvicra

Shtetësia zvicerane; nuk është një e drejt e fituar një herë e përgjithmonë!

Nga: Lirim Begzati Më: 17 janar 2020 Në ora: 23:54
Lirim Begzati

Nëse rregulla të shumta aplikohen për fitimin e shtetësisë zvicerane, ekzistojnë po aq edhe për humbjen e saj. Bile nganjëherë, është më vështirë me e fituar se sa me e humbur shtetësinë, qofshin raste të rralla këto.

Rikujtojmë se, përveç mundësive të fitimit të shtetësisë përmes një procedure të quajtur e rëndomtë (pas një kohëzgjatje qëndrimi mbi dhjetë vite), ekziston edhe procedura e lehtësuar e cila, në mes tjerash, aplikohet edhe për personat që janë të martuar me dikë që veç e posedon shtetësinë e këtij shteti (një e drejtë kjo që mund të fitohet pas pesë viteve qëndrim dhe me plotësimin e ca kushteve të tjera).

Statistikat tregojnë se janë pikërisht shtetësitë e fituara përmes procedurave të “lehtësuara” ata të cilat edhe mund të humben nganjëherë më së lehti.

Praktikat profesionale dëshmojnë gjithashtu se janë në pyetje veçanërisht rastet e personave të cilët e kanë fituar shtetësinë përmes martesës me një person bartës të shtetësisë zvicerane, dhe ndërkohë apo më vonë, është zbuluar se ka pasur një lidhje tjetër martesore në vendin e origjinës.

Shembull tjetër është rasti i mashtrimeve dhe dredhirave gjatë prezantimit të një dosje, kur janë depozituar dokumente të falsifikuara apo, atëherë kur zbulohet se janë fshehur fakte të rëndësishme për të cilat kandidati për fitimin e shtetësisë ka qenë i detyruar t’iu a prezantoi autoriteteve.

Edhe një shembull tjetër tregon se shtetësia mund të humbet nëse zbulohet se fituesi i saj ka përdorur akte të dhunës apo të kërcënimeve, para marrjes së vendimit definitiv. Për shembull, nëse, përmes kërcënimeve, i është imponuar bashkëshortes që të nënshkruaj një dokument i cili dëshmon njëfarë stabiliteti të bashkësisë martesore (edhe pse në realitet, shkurorëzimi duket i paevitueshëm!).

Sipas një rregulle tjetër të përgjithshme, personat të cilët paraqesin një rrezik apo kanosje të rëndë për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të shteti zviceran, mund t’iu nënshtrohen procedurave për humbjen e shtetësisë (për shembull, implikimi në grupe terroriste, aktet e spiunazheve kundër shtetit, etj.).

Ligjet parashikojnë edhe disa raste të tjera të humbjes së shtetësisë (për shembull, në bazë vullnetarë dhe me kërkesë të personit të interesuar, etj,.)

Ekziston edhe një rregull tjetër e cila i shpëton disa persona! Nëse gjendemi përball një afati parashkrimi, atëherë, edhe përpos faktit se një shkelje ligjore ka ekzistuar, shtetësia mbrohet prapëseprapë, nisur nga fakti se konsiderohet se një vepër është vjetërsuar. Është këtu në pyetje kalimi i kohës (për shembull, nëse një procedurë për tërheqje të shtetësisë iniciohet tetë vite pas fitimit të saj, ajo konsiderohet si e vonuar!).

Pas tërheqjes së shtetësisë, varësisht nga natyra e veprës së kryer, personit që e ka humbur shtetësinë i rikthehet statusi i mëparshëm i qëndrimit, kurse në raste të rënda ai dëbohet nga Zvicra. Tërheqja e shtetësisë nuk mund të aplikohet ndaj një personi që nuk posedon një shtetësi tjetër.Në Zvicër, humben diku përafërsisht pesëdhjetë shtetësi brenda një viti. Pra, jo aq shumë!

Neuchâtel (Zvicër), më 17.01.2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat