Varroset me nderime të larta redaktori disa vjeçar i gazetës “Bota Sot”, Llukman Halili - Bota Sot
Varroset me nderime të larta redaktori disa vjeçar i gazetës “Bota Sot”, Llukman Halili

Zvicra

Varroset me nderime të larta redaktori disa vjeçar i gazetës “Bota Sot”, Llukman Halili

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 14:50
Nga ceremonia e sotme e varrimit, lamtumirës së fundit të kolegut tonë Llukman Halili në varrezat në Friedhof Zürich-Witikon në Zvicër, Foto: D.H

Me nderime të larta u varros, Dr. sc. Llukman Halili. Të pranishëm ishin shumë personalitete. Fjalën për biografinë e mbajti Dr. Dërgut Aliu, Dashnim Hebibi, dhe kryetar shoqatash, e shumë veprimtarë.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot (16.06.2020) në ora 14:00 në varrezat në Friedhof Zürich-Witikon është bërë varrimi gazetarit të njohur shqiptar nga Terrnoci i Bujanocit i cili me vite të tëra kishte jetuar dhe vepruar në Zvicër. Ai ndërroi jetë më 13 qershor të këtij viti.

Publicisti Llukman Halili ka vdekur në Zvicër, ku jetoi së bashku me familjen e tij.

Image

Vdekja e hershme e kolegut tonë është një humbje e madhe jo vetëm për Luginën e Preshevës, por edhe për Kosovën dhe mbarë shqiptarët në Ballkan dhe diasporë.

“Shpirti yt i bardhë u prehtë në paqe Babi jonë...”, thanë të pikëlluar me lot në sy bashkëshortja Lumja me fëmijët: Doresa, Daorsi dhe Arta, shkruan gazeta “Bota sot” që ndoqi ceremoninë.

Pos familjarëve në varrimin e gazetarit tonë të njohur morën pjesë një numër i kufizuar për shkak të masave në Zvicër përballë pandemisë. Në lamtumirën e fundit pos familjarëve të të ndjerit Halilit, morën pjesë edhe miq dhe kolegë të shumtë nga “Bota sot”, dhe redaksi tjera, shqiptare e zvicerane, si dhe bashkëvendës të tij nga Tërrnovci e Bujanovci që kishin ardhur enkas për t’i dhënë përshëndetjen e fundit të ndjerit Lullkam Halili.

Image

Pranë varrit të tij në Friedhof Zürich-Witikon u vunë kurora lulesh, mirënjohje nga familjarët, kolegët e shoqata të ndryshme nga vendlindja dhe diaspora duke falënderuar për rolin dhe angazhimin e tij në lëmin e gazetarisë dhe publicistikës, i cili tërë jetën ia kushtoi vendlindjes dhe Kosovës duke i kontribuar sensibilizimit të çështjes sonë kombëtare dhe ndërkombëtare në arenën ndërkombëtare.

Halili ishte me prejardhje nga Tërnoci i Bujanovcit. Ai ishte doktor i Shkencave Humane. Llukmani ishte një punëtor i shkëlqyer, gazetar shumë vjeçar i gazetës “Bota sot”, dhe ishte redaktor përgjegjës i politikës së jashtme, ku u veçua puna e tij prej profesionalizmit. Me rastin e varrimit të kolegut tonë Llukman Halilit, editori i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, duke ngushëlluar familjarët dhe Luginën e Preshevës, ndër tjera ka thënë: “Lajm trishtues ndarja nga jeta e Llukman Halilit.

Pa dyshim vdekja është e ftohtë, por bëhet edhe më e ftohë kur dëgjon se miku, kolegu e bashkëpunëtori ndërroi jetë në moshë të re.

“Me dhimbje të thellë, mora lajmin për vdekjen e bashkëpunëtorit, mikut dhe gazetarit shumëvjeçar të gazetës kombëtare “Bota sot”. Pa dyshim vdekja është e ftohtë, por bëhet edhe më e ftohë kur dëgjon se miku, kolegu e bashkëpunëtori ndërroi jetë në moshë të re”, tha z. Mazrekaj.

Llukmani ishte një punëtor i shkëlqyer, gazetar shumë vjeçar i gazetës “Bota sot”, dhe ishte redaktor përgjegjës i politikes së jashtme, ku u veçua puna e tij prej profesionalizmit.

Mazrekaj duke kujtuar çastet e bashkëpunimit me njeriun kolegun Llukamn Halilin tha se, “nga momentet e shumta të kaluara së bashku me Llukmanin, mbaj mend vetëm fjalë të mira. Më kujtohet harmonia e tij në punë dhe në jetën e përditshme. Ishte mjaftë i hareshëm dhe karizmatik. Humbja e tij, është humbje e madhe për gazetën “Bota sot” dhe mbarë gazetarinë shqiptare."

“Në emrin tim dhe gazetës “Bota sot”, shprehi ngushëllime për familjen, shokët dhe kolegët e tij”, thuhet në fund të ngushëllimit të editorit të kombëtares “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj.

Image

Komandanti i UÇPMB-së: Me vdekjen e gazetarit Llukman Halilit humben 100 ushtarë, sepse penda e tij vlente sa 100 pushkë

Në ceremoninë e varrimit të kolegut tonë Lluklamn Halilit ishin të pranishëm qindra persona pos familjareve edhe shume miq dhe kolegë nga vendlindja, Kosova dhe diaspora. Për autobiografinë e të ndjerit foli Dr. Dergut Aliu nga Prishtina me origjinë nga Bujanoca, kurse për jetën dhe veprën në emër te kolegeve dhe diasporës në Zvicër para masës foli Dashnim Hebibi.

Nga autoritet lokale nga Bujanoci as Lugina e Preshevës nuk u pa askush pos ish-komandantit te UÇPMB-së, Shefket Hasani, i cili për gazetën “Bota sot”, tha se kjo është një humbje e madhe për Luginën e Preshevës.

“Me vdekjen e publicistit dhe gazetarit të “Bota sot”, Llukman Halilit, kemi humbur 100 ushtarë. Sepse penda e tij kishte vlerë sa 100 pushkë”, tha komandant Hasani nga Dobrosini.

Image

Daniel Abimi, gazetar zviceran, me origjinë shqiptare (nga Terrnoci i Madh)

“Me keqardhje morra ketë lajm nga kolegu im nga Gjeneva për vdekjen e kolegut dhe vendasit tim Llukman Halilit. Ishte ky një lajm i pabesueshëm për mua që të ndahet ai nga ne në atë moshë shumë të re”.

“Me Llukmanin njihemi dhe bashkëpunojmë që kaherë në sferën e gazetarisë për çështje të Ballkanit. Shkuarja e Llukmanit papritmas në ketë kohë, është një humbje e madhe e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në Ballkan. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen Halili dhe kolegë dhe miq që e njohën dhe e deshën kolegun tonë të paharruar”, ka thënë gazetari zviceran me prejardhje shqiptare, nga Terrnoci i Bujanocit.

Ndërsa, Nefail Maliqi nga Presheva gazetar ndërkombëtar në Gjenevë ka thenë se, “Lajmi për vdekjen e kolegut, mikut dhe vendasit e përjetuam me pikëllim të thellë. Lugina e Preshevës kishte dy njerëz të mëdhenj nga faktori ushtarak dhe ai politik. Ai ishte Ridvan Qazimi- komandant ‘Lleshi’ dhe dr.Llukam Halili të cilët sot u bënë bashkë në tjetrën jete. Lluki shkoi mu në kohën kur ju deshtë Luginës së Preshevës të cilën e la në mjegull, në udhëkryqe. Ai i shihte gjerat larg më shumë se një gazetar, si një diplomat. Llukman Halili veç që ishte një gazetar profesional që shumë gjera kam mësuar nga ai, kolegu ynë ishte edhe nacionalist. Atë që e bëri me pushkë Komandant Lleshi, kolegu ynë Llulman Halili e bëri me laps”.

Në emrin tim dhe redaksisë “Bota sot” shprehim ngushëllimet tona familjes Halili.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat