Disa shembuj gati se “anekdotikë” të refuzimit të shtetësisë zvicerane; një reflektim juridik

Zvicra

Disa shembuj gati se “anekdotikë” të refuzimit të shtetësisë zvicerane; një reflektim juridik

Nga: Lirim Begzati Më: 8 nëntor 2020 Në ora: 14:01
Lirim Begzati

Përveç çështjes së njohjeve gjuhësore dhe disa kushteve të tjera, edhe njohja e pamjaftueshme e gjeografisë apo historisë zvicerane, përfshirë këtu edhe politikën, çështja e një stili të “papërshtatshëm” të veshjes, mosnjohje e disa zakoneve apo traditave vendore, pjesëmarrja e pamjaftueshme në disa aktivitete të komunës ku jetojmë, duken gjithashtu si shembuj të cilat paraqesin ca barriera për marrjen e shtetësisë zvicerane.

Një shembull i paradokohshëm tregon se shtetësia iu refuzua një shtetasi italian, me qëndrim gati se katër dekada në Zvicër, me arsyen se, sipas vlerësimit të komisionit për shtetësi, ai tregoi dituri të dobëta lidhur me gjeografinë lokale dhe nuk kishte njohuri të mira për zakonet dhe traditat e Zvicrës qendrore. Në mesin e vërejtjeve, ceket edhe ajo se ai nuk ishte në dijeni se ujqit dhe arinjtë e bardhë « bashkëjetojnë » në po të njëjtin kopsht zoologjik në Goldau (SZ) dhe se janë të mbyllur në po të njëjtat hapësira.

Edhe një komunë e Bazelit, Bubendorf, përmes një vote në asamblenë komunal, i’a refuzoi të drejtën për shtetësi një familjes kosovare, ku motivi kryesor i refuzimit ishte stili i veshjes, ku thuhej, në mes tjerash, se njëri nga anëtarët e familjes, rrugëve të fshatit, shpesh shëtiste me tuta sportive (“trenerka“). Një shenjë kjo e mos integrimit, sipas anëtarëve të Asamblesë në fjalë. Ky rast është sadopak specifik nisur nga fakti se pikërisht kjo e njëjta komunë e mbrojti këtë familje që të mos dëbohet nga Zvicra në vitin 2005.

Kurse komuna Trimmis (GR), refuzoi që t’ia akordoi shtetësinë një personi me origjinë irakiane, vetëm për arsye se, sipas këshillit komunal, u vlerësua se ai nuk merrte pjesë në aktivitetet e shoqatave lokale, e as në manifestimet që organizohen në komunë, duke shtuar edhe çështjen e mos njohjes së mjaftueshme të zakoneve të rrethit ku jeton.

Çfarë mund të thuhet për këto raste, në këndvështrimin juridik?

Nëse disa nga kushtet mbi fitimin e shtetësisë zvicerane janë të qarta dhe konkrete (për shembull, kushti i kohëzgjatjes së qëndrimit), kjo nuk vlen aspak edhe për disa nga kushtet tjera të cilat, për disa aspekte, janë sadopak abstrakte (për shembull, vlerësimi i nivelit të integrimit, i njohjes së zakoneve dhe traditave të vendit ku jetojmë, etj.).

Lidhur me këto çështje, hasim së paku disa vështirësi në tre nivele:

Së pari, kompetencat, por edhe disa nga kushtet për akordimin e shtetësisë, dallojnë në masë të madhe nga kantoni në kanton (bile edhe nga komuna në komunë). Kurse në nivel të komunave, marrja e një vendimi mund të jetë në barrë të një asambleje komunale, kurse në disa të tjera, komisionet specifike e marrin mbi sipër këtë detyra!. E gjithë kjo shkakton një lloj diversiteti në nivel të funksionimeve dhe praktikave të vendimmarrjes.

Së dyti, autoritetet apo personat që marrin vendime kanë të drejta për një vlerësim të lirë të kushteve dhe dosjeve të kandidatëve për shtetësi, kështu që liria e tyre e vlerësimit është vërtetë shumë e gjerë. Pikërisht, sa iu përket kompetencave të “vlerësuesve” ndodh shpesh edhe ajo që kandidati për shtetësi të ketë nivel më të lartë njohurish dhe integrimi se sa vetë personi të cilit shteti ia ka besuar rolin e “vlerësuesit”. Ky fakt, por edhe disa të tjerë shpijnë në konkludime se mund të ndodhë disa herë që të ballafaqohemi me praktika arbitrare apo të vendimeve të njëanshme.

Së treti, federalizmi zviceran iu akordon komunave një autonomi të madhe, sa që nuk është aq lehtë pastaj me u përzier në punët e tyre. Bile edhe gjykata federale nuk e ka aq lehtë me marrë ndonjë vendim për me shfuqizuar ndonjë vendim komunal, për shkak të detyrimit të respektimit të autonomisë komunale e cila është një ndër shtyllat e pacenueshme të kushtetues së këtij vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat