Shënohet Dita Kombëtare e Zvicrës në Prishtinë

Zvicra

Shënohet Dita Kombëtare e Zvicrës në Prishtinë

Më: 1 gusht 2022 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Pasditen e sotme në Prishtinë u shënua Dita kombëtare e Zvicrës. Kjo festë ka bërë bashkë shumë përfaqësues të ambasadave në Kosovë, pjesëtarë të kabinetit qeveritar e organizata joqeveritare.

Në përvjetorin e 731-të të Zvicrës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se nga ky shtet mundohen të marrin mësim për përkushtimin e popullit për pavarësi, demokraci dhe të drejta të njeriut. 

Kurti: Ne e admirojmë qëndrimin e palëkundur të neutralitetit aktiv të Zvicrës

"Mundohemi të marrim mësim nga përkushtimi i popullit tuaj për pavarësi, demokraci dhe të drejta të njeriut. Në këto kohë trazirash në Evropë, pas agresionit brutal rus ndaj Ukrainës, si dhe gjatë luftës në Kosovë, ne e admirojmë me respekt qëndrimin parimor e të palëkundur të neutralitetit aktiv të konfederatës së Zvicrës në mbështetje të popujve të shtypur. Marrëdhëniet politike dhe diplomatike ndërmjet Konfederatës Helvetike dhe Kosovës janë të reja, sidoqoftë, lidhjet tona shoqërore e miqësore datojnë gjashtë dekada më parë kur punëtorët e parë nga Kosova iu bashkuan tregut zviceran të punës. Që nga atëherë e deri më tani, janë të rralla ato familje kosovare që nuk kanë lidhje me Zvicrën", ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, shefi i ekzekutivit është shprehur falënderues për solidaritetin e shtetit zviceran në kohët më të vështira për Kosovën.

Kurti: Nuk do të harrojmë kurrë solidaritetin e popullit dhe shtetit zviceran 

"Kurrë nuk do ta harrojmë dhe do të jemi përherë falënderues ndaj solidaritetit të popullit dhe shtetit zviceran në kohën më të vështirë për popullin e Kosovës, qoftë përmes ndihmës së drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet strehimit të dhjetëra- mijëra refugjatëve gjatë luftës së viteve 1998-99, si dhe me veprime diplomatike, ku ishte njëra nga shtetet e para që njohu pavarësinë e vendit tonë. Jemi mirënjohës për ndihmën e Zvicrës në përmirësimin e ekonomisë dhe mirëqenies në Kosovë. Gjatë gjithë këtyre dekadave keni qenë shumë bujar ndaj vendit tonë", ka thënë ai.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly ka përmendur raportet e mira me Kosovën, ku sipas tij ka shumë projekte të përbashkëta bashkëpunimi. 

Kolly: Shembull e kemi kombëtaren e Zvicrës në futboll 

'Shumë respekt për Republikën e Kosovës, për një periudhë kaq të shkurtë, ajo që keni arritur, zotëri kryeministër, ju jeni i pari duhet uruar për atë qe keni arritur. Kanë kaluar vetëm disa vite dhe do të jetë proces i gjatë, shpresoj që mos të zgjas, dhe jam shumë i sigurt që nuk do të zgjas qindra vjet si në rastin e Zvicrës. Ju uroj çdo të mirë, njëherësh dua të theksoj bashkëpunimin e ngushtë që kemi ndërmjet vendeve, ku shembull e kemi kombëtaren e Zvicrës në futboll, të cilën mund ta quaj ekip zvicerano-kosovar apo zvicerano-maqedonase. Është edhe bashkëpunimi ekonomik, ka shumë investime, shumë bashkëkombës tuaj kanë investuar në Zvicër duke krijuar vende pune. Kemi shumë projekte bashkëpunimi, dhe kjo është shumë gjë e mirë", është shprehur ai.

Ndryshe, zviceranët sot festojnë ditën kombëtare të tyre. 1 Gushti përkujton krijimin e Konfederatës Zvicerane që ne njohim sot. Në vitin 1291 tri kantone malore u bashkuan dhe firmosën Kartën Federale e cila ishte baza e Konfederatës së sotme Zvicerane me 26 kantone.

Megjithatë, kjo kartë u zbulua në vitin 1758 dhe Qeveria zvicerane e konsideroi zyrtarisht atë si dokument mbi të cilin ngrihej shteti i tyre nga fundi i viteve 1800.

Për herë të parë, 1 Gushti u festua në vitin 1891, ndërsa nga viti 1899 u bë festë vjetore.

Në vitin 1993, zviceranët votuan në masë që 1 Gushti të jetë festë kombëtare dhe kështu nga viti pasardhës, pra 1994, ajo u bë edhe ditë pushimi.

1 Gushti festohet brenda dhe jashtë Zvicrës me fenerë letre, zjarre dhe fishekzjarrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat