Etiopi, qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Afrika

Etiopi, qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 15:16
Qeveria federale e Etiopisë

Qeveria federale e Etiopisë shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin, pas një viti betejë me forcat Tigrei (TPLF) e luftimesh që po përshkallëzohen në Etiopinë veriore.

“Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme mbarëkombëtare që ka hyrë të fuqi më 2 nëntor 2021”, thuhej në një deklaratë të postuar në Twitter nga trasmetuesi televiziv shtetëror Fana Broadcasting Corporate S.C.

Në deklaratë shtohej se Dhoma e Përfaqësuesve të Popullit pritet ta miratojë gjendjen e jashtëzakonshme brenda 24 orëve.

Duke cituar burime zyrtare të qeverisë, agjencia e lajmeve “Reuters” tha të martën se Fronti Çlirimtar Popullor i Tigreit po fiton terren dhe po sheh mundësitë për t’u futur në kryeqytetin e vendit, Addis Abeba. Banorëve të kryeqytetit iu është thënë të regjistrojnë armët e të përgatiten për ta mbrojtur atë.

Rreth një vit më parë qeveria federale e kryeministrit etiopian, Abiy Ahmed luftoi kundër forcave të TPLF-së në Tigrei, por luftëtarët arritën të marrin kontrollin e provincës. Forcat qeveritare u tërhoqën në qershor, dhe që atëherë luftimet janë zgjeruar në rajonet fqinje, atë të Amharës dhe Afarit, duke detyruar me mijëra njerëz të zhvendosen e duke përkeqësuar një krizë të rëndë urie.

Duke folur të martën në Institutin Amerikan për Paqe me qendër në Uashington, i dërguari i posaçëm i SHBA-së në Bririn e Afrikës, Jeffrey Feltman, tha se rreth 900 mijë njerëz në rajonin Tigrei po përballen me me urinë dhe se 90% e popullsisë ka nevojë për ndihmë.

Sipas tij qeveria federale është pengesa më serioze për marrjen e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmës jetike për ta, për shkak të pengesave burokratike. Muajin e kaluar qeveria dëboi shtatë zyrtarë të lartë humanitarë e të drejtave të njeriut që përfaqësojnë OKB-në.

"Kjo fatkeqësisht tregon për një përpjekje të qëllimshme nga autoritetet për të privuar etiopianët nga marrja e ndihmës e cila shpëton jetë", tha zoti Feltman.

Përdorimi i ushqimit si armë lufte mund të ngrihet në nivelin e një krimi lufte.

I dërguari i posaçëm tha se sulmet ajrore të qeverisë dhe aleancat e TPLF-së me grupet e tjera të armatosura e të pakënaqura, janë "alarmante". Ai paralajmëroi se vendi rrezikon të rrëshqasë drejt një konflikti më të madh.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat