​Anulohet ankandi i çelësit të qelisë ku vuajti dënimin Nelson Mandela

Afrika

​Anulohet ankandi i çelësit të qelisë ku vuajti dënimin Nelson Mandela

Më: 8 janar 2022 Në ora: 23:45
Nelson Mandela

Çelësi i qelisë së burgut të ishullit Robben, ku mbahej i burgosur fituesi i çmimit Nobel për Paqen Nelson Mandela, do t’i kthehet Afrikës së Jugut pas anulimit të një ankandi në SHBA, njoftoi ministri i Kulturës së Afrikës së Jugut, Nathi Mthethwa, i cili kishte kundërshtuar ankandin.

“Ky çelës i përket popullit të Afrikës së Jugut dhe simbolizon historinë e dhimbshme të vendit, dhe gjithashtu përfaqëson triumfin e shpirtit njerëzor mbi të keqen”, theksoi ministri, duke shpjeguar se shtëpia e ankandeve Guernsey ka rënë dakord të dërgojë çelësin përsëri në Afrikën e Jugut dhe gjithashtu të ndalojë shitjen e sendeve të tjera që i përkisnin Mandelës.

Çelësi ishte nxjerrë në shitje nga Christo Brand, ish-gardiani i burgut të Mandelës në burgun famëkeq, ku të dy ishin bërë miq të mirë.

Ankandi, i cili do të zhvillohej në Nju Jork më 28 janar, ishte planifikuar të mblidhte fonde për një kopsht dhe muze përkujtimor mbi figurën e Mandelës.

Mandela kaloi 27 vjet burg për luftën e tij kundër aparteidit, 18 prej tyre në ishullin Robben, një ishull pranë Cape Town.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat