Shënohet një rast i ri i etheve Ebola në Kongo

Afrika

Shënohet një rast i ri i etheve Ebola në Kongo

Më: 23 prill 2022 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Një rast i ri i etheve hemorragjike Ebola është konfirmuar në veriperëndim të Republikës Demokratike të Kongos, katër muaj pas përfundimit të shpërthimit të fundit në vend.

Instituti Kombëtar i Kërkimeve Biomjekësore tha të shtunën se një mashkull 31-vjeçar u zbulua se është infektuar në qytetin Mbandaka, kryeqyteti i provincës Equateur të Kongos.

Simptomat e pacientit filluan më 5 prill, por ai nuk kërkoi trajtim për më shumë se një javë. Ai u pranua në një qendër të trajtimit të Ebolës më 21 prill dhe vdiq më vonë atë ditë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në një deklaratë.

“Koha nuk është në anën tonë”, tha Dr. Matshidiso Moeti, drejtori rajonal i OBSh-së për Afrikën.

OBSh-ja tha se përpjekjet për të kontrolluar sëmundjen tashmë janë duke u zhvilluar në Mbandaka, një qendër tregtare e mbushur me njerëz në brigjet e lumit Kongo, ku njerëzit jetojnë në afërsi. Qyteti ka lidhje rrugore, ujore dhe ajrore me kryeqytetin Kinshasa.

Kongo ka parë 13 shpërthime të mëparshme të Ebolës dhe Mbandaka ka luftuar me dy të tilla, në 2018 dhe 2020.

Përhapja e Ebolës në 2018-2020, në lindje të vendit, vrau afro dymijë e 300 njerëz, numri i dytë më i lartë i regjistruar në historinë e etheve hemorragjike.

Përhapja e fundit, gjithashtu në lindje të vendit, infektoi 11 njerëz midis tetorit dhe dhjetorit dhe vrau gjashtë prej tyre.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat