Çfarë po ndodh në Sudan?

Afrika

Çfarë po ndodh në Sudan?

Më: 20 prill 2023 Në ora: 00:08
Sudan

Luftimet kanë shpërthyer në Khartum dhe zona të tjera të Sudanit, si pjesë e një beteje mes dy fraksioneve të fuqishme rivale ushtarake. Është hera e parë që kryeqyteti përfshihet në luftë dhe rreziku për një konflikt civil mbarëkombëtar po shtohet.

Çfarë e shkaktoi dhunën?

Prej muajsh po shkallëzohej tensioni mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat së bashku rrëzuan një qeveri civile në një grusht shteti të tetorit 2021. Situata arriti kulmin për shkak të një afati të një plani të mbështetur nga ndërkombëtarët për të filluar një tranzicion të ri për kontrollin civil mbi forcat ushtarake.

Një marrëveshje përfundimtare ishte parashikuar të nënshkruhej në fillim të prillit, katër vjet pas përmbysjes së autokratit Omar al-Bashir përmes një kryengritjeje popullore.

Si ushtrisë ashtu edhe RSF-së iu kërkua të dorëzonin pushtetin sipas planit dhe dy çështje rezultuan veçanërisht të vështira: njëra ishte afati kohor për integrimin e RSF-së në forcat e armatosura dhe e dyta ishte se kur ushtria do të vihej zyrtarisht nën kontrollin civil.

Kur shpërthyen luftimet më 15 prill, të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për provokimin e dhunës. Ushtria akuzoi RSF-në për mobilizim të paligjshëm dhe RSF-ja, ndërsa përparonte në zona strategjike në Khartum, tha se ushtria ishte përpjekur të merrte kontroll të plotë në një komplot me besnikët e Bashirit.

Kush janë lojtarët kryesorë në terren?

Protagonistët në luftën për pushtet janë gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i ushtrisë dhe udhëheqësi i këshillit qeverisës të Sudanit që nga viti 2019, dhe zëvendësi i tij në këshill, kreu i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti.

Ndërsa zhvillohej plani për tranzicionin, zoti Hemedti anoi nga partitë civile të një koalicioni, Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC), që ndante pushtetin me ushtrinë në periudhën mes përmbysjes së zotit Bashiri dhe grushtit të shtetit të vitit 2021.

Diplomatët dhe analistët thanë se kjo ishte pjesë e një strategjie të zotit Hemedti për ta shndërruar veten në një burrë shteti. Si FFC-ja ashtu edhe zoti Hemedti, të cilët u pasuruan përmes minierave të arit dhe sipërmarrjeve të tjera, theksuan nevojën për të mënjanuar besnikët dhe veteranët e ish-udhëheqësit Bashiri me prirje islamike, të cilët kishin rifituar terren pas grushtit të shtetit dhe kanë rrënjë të thella në ushtri.

Së bashku me disa fraksione rebele pro-ushtrisë që përfituan nga një marrëveshje paqeje e vitit 2020, besnikët e zotit Bashir kundërshtuan marrëveshjen për një tranzicion të ri.

Çfarë rrezikohet?

Kryengritja popullore kishte rritur shpresat se Sudani dhe popullsia e tij prej 46 milionësh mund të dilnin nga një periudhë disa dekadash autokracie, konflikti të brendshëm dhe izolimi ekonomik nën zotin Bashir.

Luftimet aktuale jo vetëm që mund të shkatërrojnë këto shpresa, por të destabilizojnë një rajon të paqendrueshëm në kufi me Sahelin, Detin e Kuq dhe Bririn e Afrikës. Situata mund të bëhet gjithashtu pre e konkurrencës për ndikim në rajon midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe midis fuqive rajonale.

Cili është roli i aktorëve ndërkombëtarë?

Fuqitë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kishin mbështetur tranzicionin drejt zgjedhjeve demokratike pas përmbysjes së zotit Bashir. Ato pezulluan mbështetjen financiare pas grushtit të shtetit dhe më pas mbështetën planin për një tranzicion të ri dhe një qeveri civile.

Fuqitë e pasura me energji, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar gjithashtu të ndikojnë tek ngjarjet në Sudan, duke e parë largimin nga pushteti të Bashirit si një mënyrë për të rikthyer ndikimin islamik dhe për të forcuar stabilitetin në rajon.

Shtetet e Gjirit janë përpjekur të bëjnë investime në sektorë si bujqësia ku Sudani ka potencial të madh, dhe portet në bregun e Detit të Kuq të Sudanit.

Rusia ka kërkuar të ndërtojë një bazë detare në Detin e Kuq, ndërkohë që disa kompani të Emirateve të Bashkuara Arabe janë angazhuar të investojnë.

Si zoti Burhan edhe zoti Hemedti krijuan lidhje të ngushta me Arabinë Saudite, pasi dërguan trupa për të marrë pjesë në operacionin e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen. Zoti Hemedti ka vendosur marrëdhënie me fuqi të tjera të huaja, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusinë.

Cilët janë skenarët?

Palët ndërkombëtare kanë bërë thirrje për armëpushim humanitar dhe një kthim në dialog, por ka pasur pak shenja kompromisi nga fraksionet ndërluftuese.

Ushtria e ka quajtur RSF-në një forcë rebele dhe ka kërkuar shpërbërjen e saj, ndërsa zoti Hemedti e ka quajtur zotin Burhan kriminel dhe e ka fajësuar atë për shkatërrimin e vendit.

Megjithëse ushtria e Sudanit ka më shumë burime, përfshirë fuqinë ajrore dhe rreth 300,000 trupa, RSF-ja është zgjeruar në një forcë prej të paktën 100,000 trupash që janë vendosur në të gjithë Khartumin dhe qytetet fqinje, si dhe në rajone të tjera, duke ngjallur frikën e një konflikti të stërzgjatur, përveç një krize ekonomike afatgjatë dhe nevojave ekzistuese humanitare në shkallë të gjerë.

RSF-ja mund të përfitojë nga mbështetja dhe lidhjet fisnore në rajonin perëndimor të Darfurit, duke qenë se i pati fillesat nga milicitë që luftuan së bashku me forcat qeveritare për të shtypur rebelët në një luftë brutale që u përshkallëzua pas vitit 2003./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat