Targat shkaktojnë përplasje në Kuvend, Kurti tregon çfarë dokumenti iu ofrua të hënën: Ky ishte qëllimi ynë!

Aktuale

Targat shkaktojnë përplasje në Kuvend, Kurti tregon çfarë dokumenti iu ofrua të hënën: Ky ishte qëllimi ynë!

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 17:20 më 24.11.2022
Kryeministri Albin Kurti

​Dështon sërish zgjedhja e gjyqtarit të dytë të Kushtetueses

As në raundin e tretë, Kuvendi i Kosovës, nuk arriti të zgjedh gjyqtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese.

Në garë për gjyqtar të Kushtetueses ishin Dukagjin Avdyli dhe Bardh Vokshi.

Asnjëri prej këtyre kandidatëve nuk morën votat e mjaftueshme për gjyqtar.

Me votim të fshehtë, Bokshi mori 30 vota, Avdyli 36 sosh.

Pas dështimit, kryeparlamentari kërkoi nga komisioni përkatës që t’i merr veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes për propozimin e një kandidati për gjyqtarë të Kushtetueses.

Ndërsa në raundin e parë votat e mjaftueshme i ka marrë Enver Peci i cili i është rekomanduar presidentes së vendit për emërim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

​Votimi për gjyqtarin e Kushtetueses vazhdon pas pauzës së Kuvendit

Në dy raunde Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë gjyqtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese.

Asnjë nga kandidatët nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur ndërsa do të ketë edhe një përpjekje pas pauzës së Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se raundi i tretë i votimit do të zhvillohet pas orës 15:30.

Në garë për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese ishin në garë ishin edhe Dukagjin Avdyli, Bardh Vokshi, Flamur Mrasori dhe Valon Hasani.

Ndërsa në raundin e parë votat e mjaftueshme i ka marrë Enver Peci i cili i është rekomanduar presidentes së vendit për emërim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

​Kuvendi i propozon presidentes emërimin e Enver Pecit gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës i ka propozuar presidentes së vendit emërimin e Enver Peci gjyqtar i gjykatës Kushtetuese. Pas procedurës së vetmit të fshehtë, Evner Peci ka marrë 66 vota që janë të mjaftueshme për zgjedhjen e tij. Ndërsa Kuvendi po përsëritë votimin për zgjedhjen e gjyqtarit tjetër.

Në votim kanë marrë pjesë 87 deputetë ndërsa të pavlefshme kanë qenë tre fletëvotime.

Konjufca: I propozojmë presidentes emërimin e Enver Pecit gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

“Mund të konstatoj që pas kësaj i propozojmë si Kuvend i Republikës së Kosovës, zotim Enver Peci i cili ka marrë 66 vota, e minimumi i zgjedhjes ka qenë 58 vota, zoti Peci i ka fituar 66 vota, pra për shkak të rezultatit ja propozojmë presidentes së Republikës së Kosovës për emërim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese zotërin Enver Peci.

Vetëm ai ka arritur të fitonte, kështu që procedura vazhdon për tre të mbeturit të tjerë të cilët tash kandidojnë për një pozitë”, ka thënë Konjufca.

Në garë ishin edhe Dukagjin Avdyli me 31 vota, Bardh Voksh me 35 vota, Flamur Mrasori më 24 vota dhe Valon Hasani i cili ka marrë 2 vota.

​Kuvendi miraton ligjin për atashimin e personelit të FSK-së në Ishujt Falkland

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Ministrisë së Mbrojtjes në emër të Qenërisë së Republikës së Kosovës lidhur me atashimin e personelit nga Forca e Sigurisë së Kosovës në kompaninë Roulement të këmbësorisë në ishujt Falkland.

Miratimi është bërë me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se kjo do t’i hap rrugë atashimit të personelit nga FSK në kompaninë e këmbësorisë në Ishujt Falkland.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Çështje të sigurisë dhe Mbrojtjes ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe për të njëjtën ka pasur mirëkuptim nga të gjitha grupet.

​Peci: Kemi paraparë 3 milionë euro për kompensimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka thënë se komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale janë duke bërë vlerësimet në teren pas vërshimeve me të cilat u përballën disa komuna.

Ai ka thënë se ministria që ai drejton ka paraparë një kompensim për dëmet në sektori ne bujqësisë në vlerë prej 3 milion euro dhe këtë do ta procedojë nesër për miratim në qeveri.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se prej datës 30 shtator të këtij viti është i themeluar komisioni qeveritar qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga të mirat materiale ku bëjnë pjesë ministritë përkatëse.

“Në fazën në të cilën jemi aktualisht komiteti qendror i këtij mekanizmi është duke bërë vlerësimet dhe është duke marrë të dhënat nga tereni dhe nga komunat, ndërsa nëse flasim specifikisht për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ne kemi të paraparë një kompensim për dëmet në sektorin e bujqësisë në të i cilin vlera monetare përkrahjes është 3 milionë euro, dhe ne si ministri nesër do ta procedojmë për në qeveri për mbledhjen e radhës”, ka thënë Peci.

​Gërvalla thotë se shumë shpejtë do të sjellin në Kuvend ligjin për shërbimin e jashtëm

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se projektligji për shërbimin e jashtëm do t’i dërgohet kuvendit për shqyrtim dhe miratim shumë shpejtë.

Kjo çështje është ngritur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka drejtuar kritika për vonesë në sjelljen e këtij projektligji në Kuvend.

Musliu-Shoshi: Kur do të sjellet në Kuvend ligji për shërbimin e jashtëm

“Kur do ta sjellësh ligjin për shërbim të jashtëm në këtë kuvend pasi që je duke e shtyrë që nga muaji qershor i vitit 2021”, ka pyetur deputetja e PDK-së.

Por sipas ministres, i njëjti do të dërgohet së shpejti në qeveri dhe do të pasohet me shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

Gërvalla: Ligji për shërbimin e jashtëm do të vjen në Kuvend shumë shpejtë

“Ligj për shërbimin e jashtëm do të vjen në Kuvend shumë shpejtë, tani që dje në mbledhjen e fundit të qeverisë kemi aprovuar projektligjin për shërbyesit civil, ligji për shërbimin e jashtëm është në fazën e tij finale dhe shumë shpejtë do ti vjen qeverisë dhe pastaj kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, ka thënë Gërvalla.

Kurti: Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja e mbrëmshme për targat, është arritje e madhe meqë për herë të parë procesi i dialogut hyn në fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme. Ani pse e ka quajtur dakordim, Kurti theksoi se dokumenti i mbrëmshëm dallon me atë se çfarë i është ofruar të hënën atij në Bruksel. Në fjalimin e tij në seancë plenare, ka deklaruar se ka ndryshuar deklarata e Borrelit, e jo qëndrimet e Kosovës. Sipas shefit të ekzekutivit, marrëveshja për targat është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se qëllimi ishte që drafti franko-gjerman të bëhet pjesë e bisedimeve në Bruksel.

Kurti: Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel, drejt arritjes së një dakordimi, i cili shtetit tonë që është normal e demokrat ia bashkëngjit edhe një raport normal e evropian me Serbinë. Ishte e qartë nga vet deklarata e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë për siguri dhe politikë të jashtme, Borrel që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditën e hënë në tekstin, i cili më është ofruar mua në fund”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka shtuar se marrëveshja e mbrëmshme për targat është arritje e madhe për Kosovën.

Kurti: Për herë të parë procesi i dialogun hyn në fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme

“Besoj që kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do të zgjidh problemet fundamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Kurti theksoi se dokumenti që i është ofruar të hënën në Bruksel, dallon nga teksti i mbrëmshëm.

Kurti: Ajo që është dakorduar mbrëmë është e ndryshme

“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili ka pasur 95 fjalë. Dhe fjalët Francë e Gjermani nuk kanë qenë askund. Dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman apo të Bashkimit Evropian, siç po themi tani, përveç çështjes së targave tek çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërkaq, kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme, ata që thonë që ajo çfarë nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin”, ka theksuar shefi i ekzekutivit në seancë plenare.

Kurti ka insistuar se mbrëmë në Bruksel nuk është arritur marrëveshje, por dakordim për ëështjen e targave.

Kurti: Nuk është marrëveshje, është një dakordim

“Nuk është marrëveshje, është një dakordim, por nuk është marrëveshje. A e dini pse nuk është marrëveshje? Shikoni se çfarë thotë në titull, është deklaratë e Borrelit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrelit. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratë. Dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme, nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh që të ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”, ka theksuar ai.

Në seancë plenare, Kurti ka deklaruar dakordimi i mbrëshëm skadon kur të arrihet negocimi i dokumentit franko-gjerman.

Kurti: Ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman

“Tjetra është që pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja. Ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht targat e paligjshme do të nxjerin nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë. Ne arritëm të zbatojmë parimin e reciprocitetit në atë seksion të marrëveshjes që u bë deklaratë e Borrelit, por theksojmë që ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman, kur të kryhet ky negocim atëherë skadon edhe afati i këtij dakordimi”, tha Kurti.

Derisa ka folur për draftin franko-gjerman, shefi i ekzekutivit ka treguar se në takimin në Paris, i është kërkuar që ky propozim të quhet evropian.

Kurti: Meqë insistohet të quhet i Bashkimit Evropian, nuk kam problem me atë punë

“Me datën 11 nëntor kur e kam takuar në Paris, zotëri Borrel dhe Lajçak me ekipin tim të këshilltarëve kur isha atje, unë kur thash propozimi franko-gjerman, ai reagoi bukër ashpër dhe tha ky është propozim evropian. Unë thash në rregull, i kërkova falje, tash e tutje thash do ta quajmë evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, unë të hënën e pash se në fakt është franko-gjerman se po të ishte propozimi i BE-së, ai nuk do ta braktiste kaq kollaj. Mua të hënën mu vërtetua që në fakt është franko-gjerman. Mirëpo, meqë insistohet të quhet i Bashkimit Evropian, nuk kam problem me atë punë”, ka shtuar Kurti.

Sipas tij, dialologu duhet të fillojë me shpejtësi e brenda disa ditëve.

Kurti: Duhet të fillojë brenda disa ditëve

“Ne dëshirojmë që të krijojmë një masë elementare mirëbesimi, për t’i dhënë shans dialogut me shpejtësi. Dhe ai duhet të fillojë brenda disa ditëve, në paragrafin e parafundit thuhet që në ditët në vijim dhe është shumë mirë që tani gjithçka është përshpejtuar. Unë e di që kam pasur kërkesa nga Lajçak për 12 muaj, nga zotëri Escobar për 10 muaj, mirëpo unë besoj që kjo mund të bëhet dhe po bëhet shumë më shpejt. Nuk ka nevojë për 12 dhe 10 muaj, dhe qëndrimi jonë doli i drejt. Qendra e regjistrimit të targave në Rashkë, nuk lëshon më KM. S’ka nevojë më për 12 muaj, pse 12 muaj dhe kjo natyrisht që është mirë për shtetin e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat, Kurti ka folur edhe për serbët e dorëhequr nga institucionet publike. Ai ka thënë se u ka bërë thirrje të njëjtëve që të mos veprojnë në këtë mënyrë, por që nuk mund të kërkojë nga ta të kthehen.

Kurti: Kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale.

“Unë ju kam bërë thirrje të gjithë serbëve që janë në institucione ‘mos i braktisni, mos jepni dorëheqje, mos shkoni’. Por, nuk ju kam thënë kthehuni, nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Unë kam të drejtë politikisht të ju them mos shkoni. Por nuk kam të drejtë të ju them kthehuni, shkuarja e tyre është akt individual politik. Kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti.

Më tej, është zotuar se po zhvillohet dialogu me serbët lokal, por që nuk po arrin t’i mbrojë.

Kurti: Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegur dhe unë nuk kam arritur t’i mbrojë

“10 serbë të Kosovë që udhëheqin organizata të ndryshme i kam takuar dje, por duhet ta kuptoni një gjë nuk duan fotografi prej takimit. Po ndodh dialogu me serbët lokal, unë nuk mund t’i mbrojë ende ata. Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegur dhe unë nuk kam arritur t’i mbrojë. Edhe serbët kur vijnë në takim me mua, ata nuk duan që të bëjnë fotografi. 1 orë e gjysmë kemi diskutuar, por nuk duan të bëjnë fotografi sepse ju hakmerren. Rasti më eklantant ka qenë i ish-këshilltarit tim tek Kurti 1 që dha dorëheqje dy orë pas emërimit. Pra, duhet ta bëjmë dialogun, por nuk duhet ta publikojmë si të tillë këtë dialog”, ka përfunduar ai.

Ai ka theksuar se trashëgimia e marrëveshjeve të qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtar të BE-së. Sipas tij, ndryshimi i tyre merr kohë dhe duhet të bëhet në kuadër të një plani më të madh, me atë të planit franko-gjerman.

​Kurti: Nuk kemi cenuar kurrfarë substance të vendit tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me dakodim për targat nuk është cenuar kurrfarë substance e shtetit të Kosovës.

Ai u ka thënë deputetëve se në Bruksel janë zotuar për konfidencialitet të bisedimeve.

Kurti: Jam transparent, por jemi zotuar për konfidencialitet të bisedimeve

“Unë e përmenda dallimin e numrit të fjalëve të hënën me të mërkurën si një me dy sepse nuk janë identike, kanë shumë dallim të madh. Unë po jam transparent për procesin por jemi zotuar për konfidencialitet të bisedimeve, andaj edhe që të mos fajësohet Kosova, të mos fajësohem unë, të mos fajësohemi ne, unë nuk po e publikoj atë, por është dallim drastik e hëna me të mërkurën, besoni, këto do të dalin nuk do të vonojnë shumë mirëpo është dallimi drastik”, ka thënë Kurti.

Ai a thënë se e kishte kundërshtuar afatin prej 10 muajsh meqë sipas tij kjo do të nënkuptonte pranim të dobësisë së shtetit.

Kurti për konvertimin e targave: U kam thënë që brenda një jave i kryejmë krejt

“Institucionet e Kosovës punojnë me shpejtësi, me efikasitet, me cilësi, me profesionalizëm, por nëse unë do të thosha si kryeministër i këtij vendi që më duhen 10 deri në 12 muaj për me i konvertu nja 7 mijë vetura, kjo është pranim i dobësisë së shtetit. Unë përkundrazi, unë thosha brenda një jave i kryej krejt, ata thoshin nuk jeni të zot ju si shtet që ta bëni konvertimin shpejtë, ju duhet shumë kohë ,jo nuk më duhet shumë kohë, gjashtë veturat shumë shpejtë i konvertuam, ata shumë shpejtë i dogjën, pra problemi ishte djegia e veturave e jo mungesa e shpejtësisë në konvertimin e tyre si shërbim publik i shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Kryeministri i vendit ka thënë se në Kosovë janë më pak se 200 automjete me pronarë serb që i kanë targat ilegale e të cilat janë regjistruar këtë vit.

Të tjerat ka theksuar se janë më të vjetra dhe do t’u skadojë afati.

Kurti: Janë më pak se 200 vetura me targa ilegale të regjistruar sivjet

“Janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serb që i kanë tabelat ilegale e të cilat janë regjistruar sivjet, krejt janë më të vjetra se sivjet, atyre krejt ka me ju dalë regjistrimi, nuk ka më regjistrim. Është e vërtetë që po bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë për veriun por po bëhet po ashtu fjalë edhe për një pjese të Serbisë për qendrën për regjistrimin e automjeteve në Rashkë, a është koncesion, po mund të shihet edhe si koncesion, por unë besoj që dobia ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi cenuar kurrfarë substance, për besë nuk kemi cenuar kurrfarë substance të vendit tonë, do të cenohej substanca shumë më tepër me thënë 10-12 muaj, se u dogjën gjashtë kerre”, ka thënë ai.

Për çështjen e dialogut Kurti i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi i cili i ka thënë se nuk ka qenë e nevojshme të shkohet në Bruksel dhe të diskutohet për targat që është vendim i Qeverisë së Kosovës.

Krasniqi-Kurtit: Nuk keni pasur nevojë të diskutoni me Vuçiqin për vendimin e qeverisë për targat

“Keni shkuar në Bruksel dhe keni negociuar për një temë të cilën nuk ke pasur nevojë, sepse është kompetencë e jotja, e qeverisë, a e ke ndryshu vendimin e qeverisë për atë sekuencën e veprimeve në lidhje me tabelat, sepse nëse ajo është në fuqi ende nuk mund të jetë deklarata e Borrellit më e rëndësishme sesa vendim i qeverisë së Kosovës. Pra ti duhesh me shku tash në qeveri me ndrru atë vendim, pra për me ndrru atë vendim nuk ke pasur nevojë me shku me disktu me Vuçiqin, as ti e as Bislimi me Petkoviqin. Ka qenë e thjeshtë, ke mundur me vullnetin e mirë me disktu me amerikanët siç kanë kërkuar dhe me thënë në rregull dhe sot e kishte pas një situatë më normale në veri, e tash nuk mund ta kthesh as atë normalitet”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se Kuvendi e ka fjalën e fundit andaj sipas tij qeverisë i duhet bashkërendim me partitë opozitare.

Krasniqi-Kurtit: Nuk mundesh me ecë vet, Kuvendi e ka fjalën e fundit

“Po thuani po na quajnë palë, palë janë quajtur gjithmonë, Kosova dhe Serbia në çdo diskutim, në çdo deklaratë prej kur ka filluar 2011 e tutje, palët janë quajtur, marrëveshja ndërkombëtare ligjërisht e obliguar është si terminologji prej fillimit, bile jam shqetësuar që në vitet e fundit dy vitet e fundit nuk është përmend mjaftueshëm, këto janë thjesht krejt çka kanë ndodhur në të kaluarën, e mirë që ti je duke kuptuar rëndësinë e procesit por edhe të bashkërendimit që e përmende sot nuk do me ecë vet. Nuk mundesh me ecë vet, ky Kuvend në fund ka me dhënë fjalë ne fundit, krejt partitë parlamentare që përfaqësojnë qytetarët, andaj ty të duhet bashkërendimi, edhe me partitë opozitare”, ka thënë kreu u PDK-së.

E lidhur me këtë, kryeministri Kurti ka thënë se nuk mundet dhe as nuk dështon të punojë pa deputetët e Kuvendit.

Kurti-deputetëve: Në parlament jam më i rregullt se disa deputetë

“Sa herë të jem në Kosovë, veç nëse vjen ndonjë personalitet shumë i lartë qysh herën e kaluar ka qenë Ursula von der Leyen presidentja e Komisionit Evropian, se mua këtu më keni. Unë as nuk mundem pa juve as nuk dua pa juve. Mirëpo edhe ju duhet ta pranoni një gjë se e keni kryeministrin më të rregullt në parlament se shumë deputetë, shumë deputetë vinë shumë më rrallë se unë, e unë për ta jam këtu”, ka thënë Kurti.

Tahiri kritikon Kurtin: Ky kuvend të duhet veç kur të vjen ngushtë

 

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, iu drejtua kryeministrit, duke i thënë që ta ndryshojë qasjen.

Ai i tha atij se kuvendi i duhet siç u shpreh ai ” veç kur t’i vjen ngushtë”.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën e cila ka qenë buzë një rreziku shumë të madh dhe si rrjedhojë, të gjitha partitë opozitare, edhe ne në kuvend, kemi vendosur ta mbajmë retorikën poshtë, në mbështetje të kryeministrit tonë, sepse është në ballafaqim me Serbinë”.

“Ty kryeministër, ky kuvend të duhet veq kur të vjen ngushtë, të ka ardh ngushtë me referendum, e ke sjell rezolutën, të ka ardh ngushtë më zgjedhjet në Serbi, të kemi mbështet, sot a po e sheh si po rrimë të qetë, sepse po e dimë që vendi është në rrezik, vendi ka qenë në rrezik, andaj qasjen ndryshoje, fokusi mos të jetë në elemente të vogla, të cilat na sjellin në situatë ku me të vërtetë duhet të kthehemi me kokëulur”, u shpreh ai.

​Zemaj: Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon paaftësinë e qeverisë përballë përgjegjësive shtetërore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës në procesin ne dialogut kanë qenë të panevojshme, të dëmshme e populiste. Ai ka thënë se kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasje jo serioze dhe paaftësi të qeverisë përballë përgjegjësisë shtetërore.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Zemaj ka thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zemaj: Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen jo serioze dhe paaftësinë e qeverisë përballë përgjegjësive shtetërore

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur qartazi brengën por mbi të gjitha tendencën e kësaj qeverie në mënyrën më të papërgjegjshme në raport me qasjen në dialog. E kemi theksuar edhe më parë, po potencojmë edhe sot, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjik veçmas me shtetet e bashkuara të Amerikës. Atë që ka ndodhur ditët ose dy javët e fundit e kemi parë të panevojshëm, të dëmshme, tepër popullsite, gjatë këtyre javëve në tërësi, si nga qeveria, si nga akterët tjerë të kësaj mazhorancë. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen jo serioze dhe paaftësinë tuaj përballë përgjegjësive shtetërore që keni në raport me vendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Në seancën e Kuvendit, Zemaj ka kërkuar edhe rishikimin e vendimit të qeverisë përmes së cilit janë ulur pagat për gjyqtarët dhe prokurorët.

Këtë ai e ka quajtur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Zemaj: Ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

“Ulja e pagave gjëja në kthimi ne ligjshmërisë është arbitrare, është ndërhyrje e mbrapsht në sistemin e drejtësisë. Derisa qeveria e Republikës së Kosovës, ministra të veçantë kanë mundësi që të paguajnë deri në 5 mijë e 600 euro një këshilltar në pjesën të quajtur profesionale, si është e mundshme që prokurorët dhe gjyqtarët që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsioni, prokurorët të cilët ndjekin raste të rënda dhe gjyqtarët që japin dënime kapitale ju ulët paga në nivel të asistentit të kryeministrit, kryetarit të kuvendit dhe të presidentit të vendit, kjo është e papranueshme, e pa tolerueshme, është e dëmshme, i dëmton sistemet e drejtësisë, e dëmton luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe i dëmton të gjitha të arriturat e deritashme”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat