Meksika konfirmon rastet e para me koronavirus

Amerika

Meksika konfirmon rastet e para me koronavirus

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 19:50
Meksikë

Autoritetet shëndetësore meksikane njoftuan të premten dy raste personash të prekur nga COVID-19. Bëhet fjalë për një person në Mexico Citydhe një tjetër në shtetin verior të Sinaloas, njëri prej të cilësve kishte vizituar së fundmi Italinë. Brazili është vendi tjetër i Ameriksë Latine ku është shfaqur koronavirusi. Numri i rasteve të reja me koronavirusin e ri ka rënë në Kinë, por është rritur në Korenë e Jugut, vendi i dytë në botë më i goditur nga infeksioni viral.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë raportoi 327 raste të reja dhe 44 vdekje të premten herët në mëngjes, numri më i ulët i rasteve të reja në më shumë se një muaj.

Ndërkohë në Korenë e Jugut numri i të infektuarave është mbi 2300 vetë, me 256 raste të reja dhe 13 vdekje. Shumica e rasteve janë identifikuar në Daegu, qyteti i katërt më i madh në vend.

Në Shtetet e Bashkuara zyrtarët njoftuan rreth rastit të parë të infektimit të një personi nga COVID-19 origjina e të cilit është e panjohur. Kjo do të thotë se gruaja e prekur në Kaliforninë veriore nuk ka udhëtuar jashtë SHBA-së apo nuk ka qenë në kontakt me dikë që është prekur nga infeksioni viral.

Megjithëse Presidenti Donald Trump ka thënë se rreziku i prekjes nga virusi në Shtetet e Bashkuara është shumë i ulët, zyrtarët e shëndetësisë në Kaliforni thonë se kanë filluar një përpjekje "të fuqishme" për të kontrolluar sa më shumë njerëz. Sipas ekspertëve COVID-19 ka rrezik të lartë transmetimi.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus thotë se situata jashtë Kinës përbën "shqetësimin më të madh për organizatën që ai drejton".

“Nëse veproni në mënyrë agresive tani, mund ta ndaloni përhapjen e virusit, të parandaloni njerëzit që të sëmuren e të shpëtoni jetë", tha ai.

Të paktën 40 vende kanë raportuar raste personash të prekur nga koronavirusi.

Autoritetet në Azi, Evropë e Lindjen e Mesme kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të përmirësuar situatën.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Kryeministri japonez Shinzo Abe urdhëroi mbylljen e shkollave të paktën deri në mars. Zelanda e Re njoftoi të premten rastin e parë me COVID-19. Nigeria, Lituania dhe Estonia gjithashtu njoftuan raste me virus.

Arabia Saudite nuk ka njoftuar ende ndonjë rast, por ka ndërmarrë një hap të pazakontë atë të ndalimit të përkohshëm të të huajve për të kryer haxhin në qytetin e shenjtë të Mekës, të cilin të gjithë myslimanët pritet ta kryejnë të paktën një herë në jetën e tyre.

Kufiri mes Sirisë dhe Irakut, i cili kontrollohet nga forcat kurde në të dyja anët, është mbyllur përkohësisht për shkak të virusit.

Në Gjenevë, Komisioneri i Lartë i SHBA për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet bëri thirrje kundër diskriminimit lidhur me virusin.

"Epidemia ka krijuar një valë shqetësuese paragjykimesh ndaj njerëzve me përkatësi etnike kineze dhe atyre që janë nga Azia lindore. U bëj thirrje shteteve anëtare të bëjnë çmos për ta luftuar këtë dhe forma të tjera të diskriminimit".

Të premten numri i të prekurve arriti në më shumë se 83 mijë në të gjithë botën dhe më shumë se 2,800 vdekje. Shumica e rasteve janë në Kinë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat