Ndikimi në zgjedhje i imigrantëve me shtetësi amerikane - Bota Sot
Ndikimi në zgjedhje i imigrantëve me shtetësi amerikane

Amerika

Ndikimi në zgjedhje i imigrantëve me shtetësi amerikane

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 06:43
Anila Kadriu nga Shqipëria, bën betimin në një ceremoni për shtetasit e rij amerikanë në Klivlend të Ohajos, më 17 janar, 2020

Brenda Cienfuegos morri së fundmi shtetësinë amerikane dhe pret me padurim që të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar. Ajo thotë se votimi i jep zë komunitetit latino-amerikan, pjesë e të cilit është edhe ajo vetë.

"Kam votuar gjithmonë në vendin tim. Këtu nuk mund ta bëja, por tani po", thotë ajo.

Zonja Cienfuegos me origjinë nga El Salvadori, nënë e dy fëmijëve, ka ardhur në në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010 në rrugë ligjore. Ajo u regjistrua për të votuar menjëherë pas ceremonisë së saj të shtetësisë në Jork të Pensilvanisë, në fillim të këtij viti. Brenda Cienfuegos ngurron t'i përgjigjet pyetjes se cilin kandidat mbështet për garën presidenciale të nëntorit

"Ashtu siç kam mësuar në vendin tim, vota është e fshehtë", thotë zonja Cienfuegos. "Por ajo çka mund t'ju them është se do të mbështes kandidatin që mbështet më mirë komunitetin latino-amerikan", shton ajo.

Zonja Cienfuegos është pjesë e një grupi në rritje që po "tregon muskujt" në procesin demokratik amerikan. Të dhënat e regjistrimit të popullsisë, të analizuara nga qendra kërkimore "Pew" tregojnë se më shumë se 23 milionë qytetarë që kanë marrë shtetësinë do të kenë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ose rreth 10 për qind e elektoratit.

Ndikimi në zgjedhje i të huajve që kanë marrë shtetësinë amerikane është i njohur për grupet politike.

Mike Madrid, themelues i projektit "Lincoln", një komitet mbi aksionin politik të republikanëve renegatë që po punon për të larguar Presidentin Donald Trump nga detyra, vëren se qytetarët e huaj që kanë marrë shtetësinë amerikane "kanë gjasa më të mëdha për të votuar" sesa amerikanët e lindur në vend dhe se janë "një grup më shumë pro imigrantëve, duke qenë vetë imigrantë". Besnikët e zotit Trump thonë se edhe ata po përpiqen të sigurojnë mbështetjen e amerikanëve të lindur në vende të tjera.

"Ne e kemi kuptuar rëndësinë e përfshirjes së çdo qytetari amerikan si një votues i mundshëm, përfshirë ata qytetarë të huaj që kanë marrë shtetësinë amerikane", i tha “Zërit të Amerikës” drejtori i Komitetit Kombëtar Republikan për Latino-Amerikanët, Yali Nuñez.

Pjesëmarrja e amerikanëve të rinj

Sipas qendrës kërkimore "Pew", latino-amerikanët dhe aziatikët përbëjnë gati dy të tretat e shtetasve të rinj që kanë të drejtë të votojnë këtë vit. Sipas gjetjeve të qendrës "Pew", në vitin 2016 kanë votuar 53 për qind e komunitetit latin që ka marrë shtetësinë amerikane dhe 52 për qind e aziatikëve, krahasuar me 46 për qind të komunitetit me origjinë latine të lindur në vend apo 45 për qind të komunitetit me origjinë aziatike të lindur në vend. Vendet kryesore nga të cilat vijnë votuesit e rinj janë Meksika, Filipinet, India dhe Kina.

Në Karolinën e Veriut, Juliana Cabrales e Fondit Arsimor “NALEO”, një organizatë jopartiake që reklamon pjesëmarrjen qytetare të komunitetit latino-amerikan, tha se partitë politike duhet të zhvillojnë një dialog të vazhdueshëm me amerikanët e rinj dhe jo vetëm gjatë zgjedhjeve.

"Ajo që kemi parë vitet e mëparshme është se partitë politike kanë prirje të mos i vlerësojnë latino-amerikanët, t’i shohin sikur nuk votojnë asnjëherë ose sikur dihet sesi do të votojnë", thotë zonja Cabrales. "Ne si organizatë i kemi kërkuar në mënyrë aktive partive politike që ta angazhojnë komunitetin latin", shton më tek ajo.

Zonja Cabrales thotë se zyrtarët e fushatave presidenciale “në mënyrë aktive po u drejtohen amerikanëve të rinj në shtetet e kyçe, ku mundësitë e palëve për fituar janë të barabarta dhe shpesh anashkalojnë pjesën tjetër të vendit".

“Komuniteti latin i Kalifornisë, ai i Nju Jorkut dhe Teksasit shpesh janë të harruar dhe kandidatët që u kërkojnë votën nuk bisedojnë me ta, apo pse ata duhet të mbështesin njërin apo tjetrin kandidat”, thotë ajo.

"Ka nevojë për përpjekje më të mëdha për të mobilizuar të gjitha grupet e elektoratit që të dalin në votime dhe të sigurohen që vëmendja të mos jetë vetëm për ato shtete që konsiderohen vendimtare në zgjedhje".

Përkatësia partiake

Sondazhet e zgjedhjeve të fundit tregojnë se votuesit imigrantë në tërësi kanë prirje që të votojnë pro demokratëve, diçka që nuk i befason disa republikanë.

Brendan Steinhauser, këshilltar për Partinë Republikane me qendër në Teksas, i tha Zërit të Amerikës se retorika në nivele drejtuese të partisë ka nxitur perceptimin që republikanët nuk i mirëpresin emigrantët edhe nëse vijnë në rrugë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Steinhauser, i cili ka punuar për senatorin republikan të Teksasit, John Cornyn, tha se zoti Cornyn ka dërguar rregullisht ndihmës për të marrë pjesë në ceremonitë e dhënies së shtetësisë.

"Ai ka bërë një punë të shkëlqyer duke siguruar votën e komunitetit latino-amerikan në Teksas në zgjedhjet e kaluara", tha zoti Steinhauser, duke shtuar se tërheqja e shtetasve të rinj do të jetë e thelbësore për të dyja forcat politike.

"Pas vitit 2020-s, pavarësisht se çfarë ndodh, Partia Republikane ashtu sikurse demokratët, nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse t'i apelojnë një masa gjithnjë e më të gjerë amerikanësh", tha ai.

"Një parti që nuk e bën këtë nuk do të ketë të ardhme në këtë vend", shtoi zoti Steinhauser.

Pasojat në jetën reale

Për shkak të pandemisë së COVID-19, Olivia Quinto me origjinë nga Filipinet, nuk kishte asnjë nga anëtarët e familjes apo miqtë krah saj në ceremoninë e marrjes së shtetësisë amerikane. Ajo do të votojë për herë të parë më 3 nëntor në Teksas me nënën e saj, e cila u bë shtetase amerikane në fillim të vitit. Olivia Quinto i tha "Zërit të Amerikës" se shumë gjëra varen nga rezultati i këtyre zgjedhjeve.

"Këto zgjedhje do të kenë pasoja në jetën e përditshme të njerëzve tanë të dashur. Ndaj dhe jam përqëndruar pikërisht aty”, thotë ajo./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat