Biden viziton Kenoshën, dy ditë pas Presidentit Trump

Amerika

Biden viziton Kenoshën, dy ditë pas Presidentit Trump

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 21:02
Kandidati demokrat Joe Biden me bashkëshorten Jill Biden

Kandidati demokrat për president Joe Biden, shkon sot në qytetin Kenosha të shtetit Uiskonsin, për një takim me komunitetin.

Fushata e zotit Biden thotë se qëllimi i bisedimeve në qytetin me 100 mijë banorë pranë brigjeve të Liqenit Miçigan është “bashkimi i të gjithë amerikanëve për të shëruar dhe zgjidhur sfidat me të cilat përballemi”. “Ajo që duam të bëjmë është të shërohemi”, tha zoti Biden gjatë një konference shtypi të mërkurën. “Duhet t’i sheshojmë gjërat. Të afrojmë njerëzit.”

Vizita e zotit Biden vjen dy ditë pasi Presidenti Donald Trump shkoi në qytetin Kenosha dhe vizitoi ndërtesat e dëmtuara ose të shkatërruara gjatë trazirave civile që erdhën pasi një polic i bardhë qëlloi me armë zjarri një afrikano-amerikan.

Image
Protesta në Kenosha kundër padrejtësive raciale dhe përgjegjshmërisë së policisë (29 gusht 2020)

Vizita e zotit Biden nënkupton se si ai dhe Presidenti Trump po përpiqen të fitojnë jë avantazh politik në situatën e ndjeshme mbi çështjet racore dhe trajtimin policor të pakicave. Çështja doli në qendër të vëmendjes kur afrikano-amerikani George Floyd, vdiq në muajin maj ndërsa ishte i ndaluar nga policia në qytetin Mineapolis të shtetit Minesota. Kjo ngjarje dhe situata të ngjashme shkaktuan protesta në mbarë vendin.

Vizita e Presidentit Trump në Kenosha nënvizoi mbështetjen e tij të fuqishme për forcat e zbatimit të ligjit. Presidenti u shpreh: “Duhet të jesh vendimtar, i fortë dhe i gatshëm për të dërguar forca”, siç janë trupat e Gardës Kombëtare, për të shuar dhunën.

Kandidati demokrat Joe Biden, i cili po sfidon Presidentin Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, e ka kritikuar udhëheqësin amerikan se nuk ka dënuar të gjitha llojet e dhunës, nga e majta dhe e djathta politike, dhe se nuk ka pranuar të kritikojë një adoleshent të akuzuar për vrasjen e dy individëve dhe plagosjen e një tjetri gjatë protestave që rrodhën pas plagosjes së afrikano-amerikanit Jacob Blake në Kenosha.

“Presidenti vazhdon t’i hedhë zjarrit benzinë”, tha zoti Biden në konferencen e tij të shtypit. Ai shtoi, “Nuk e dëgjova të thoshte shumë”, për Blake që u qëllua shtatë herë në shpinë ndërsa policia po përpiqej ta arrestonte . “Fakti është se ai nuk po vepron me shumë përgjegjësi”, tha zoti Biden për Presidentin Trump.

Vizita e zotit Biden në shtetin Uiskonsin do të jetë e para nga një kandidat demokrat për president që nga viti 2012. Në vitin 2016, ky shtet u duk i sigurtë se do të mbështeste demokratët dhe kandidaten e tyre për presidente, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

Zonja Clinton nuk bëri fushatë në atë shtet. Por zoti Trump fitoi me rrezultat të ngushtë në Uiskonsin si dhe dy në shtetet e tjera që zakonisht votojnë për demokratët, Pensilvani dhe Miçigan, për të marrë një mandat katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Demokratët patën planifikuar ta mbanin kuvendin kombëtar muajin e shkuar në Miluoki, qyteti më i madh në Uiskonsin, por hoqën dorë dhe vendosën të zhvillojnë një kuvend virtual nga frika e përhapjes së koronavirusit nëse mijëra delegatë do të mblidheshin në një arenë basketbolli, siç ishte parashikuar.

Gjatë vizitës së tij në Kenosha, Presidenti Trump foli për protestat urbane, “Ka anarkistë, plaçkitës si dhe protestues të dhunshëm. Janë të gjitha llojet. Ka edhe agjitatorë.”

Duke i quajtur “politikanë kokëkrisur të ekstremit të majtë”, Presidenti shtoi se “Ne duhet t’i japim një mbështetje më të madhe organeve tona të zbatimit të ligjit”.

Presidenti Trump tha se në Kenosha, “Turma e dhunshme shkatërroi ose dëmtoi të paktën 25 biznese, dogji ndërtesa publike dhe goditi me tulla punonjësit e rendit, gjë të cilës policia juaj nuk i nënshtrohet”.

“Ata nuk u nënshtruan”, tha zoti Trump. “Këto nuk janë akte të protestave paqësore por në të vërtetë terror i brendshëm.”

Kandidati Biden këtë javë akuzoi Presidentin Trump për siç u shpreh ai, “mbështetje ndaj kaosit dhe dhunës” gjatë sezonit elektoral sepse ai e sheh atë si “një litar shpëtimi politik”.

Zoti Biden tha në konferencën e shtypit se “djegia dhe plaçkita është e gabuar, dhe ai që i bën këto duhet të mbahet përgjegjës.”

Presidenti Trump nuk u takua me familjen e afrikano-amerikanit Blake gjatë vizitës atje dhe është e paqartë nëse zoti Biden do të takohet me ta. Zoti Trump foli me një pastor për të cilin tha se ishte i familjes Blake dhe zoti Biden foli më herët me disa nga të afërmit e zotit Blake.

Autoritetet kanë ngritur akuza ndaj 17-vjeçarit Kyle Rittenhouse, një adoleshent i racës së bardhë, për të shtënat ndaj tre njerëzve gjatë protestave të 25 gushtit. Rittenhouse tha se ishte në Kenosha për të mbrojtur bizneset gjatë trazirave civile./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat