Rreth 100.000 njerëz evakuohen në Kaliforni shkaku i zjarreve

Amerika

Rreth 100.000 njerëz evakuohen në Kaliforni shkaku i zjarreve

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Kalifornia Jugore përfshihet nga zjarret dhe i detyron njerëzit të evakuohen, ndërsa dy zjarrfikës janë plagosur rëndë dhe gjenden në repartin e kujdesit intensiv.

Në një raport për Komisionin Shtetëror të Shërbimeve Publike, kompania e shërbimeve “Southern California Edison” tha se po heton nëse pajisjet e saj elektrike e shkaktuan flakën. Raporti i nxjerrë tha se u duk se një “tel lidhës” që lidhte një linjë telekomunikacioni në një kabllo mbështetëse mund të ketë goditur një linjë përçuese me 12.000 volt mbi të, gjë që kishte mundur t’i shkaktonte zjarret.

SCE e raportoi ndërprerjen e energjisë elektrike në 21.000 shtëpi dhe biznese si një masë paraprake mbrojtëse përballë rreziqeve të ngritura nga zjarri që u  paraqiten nga erërat e forta dhe të rrezikshme.

Paralajmërimet e flamurit të kuq për kushtet e motit me temperatura të larta mbetën në fuqi në pjesën më të madhe të Kalifornisë për shkak të erërave që frynë më shumë se 129 kilometra në orë, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri.

Rreth 90.800 banorë u urdhëruan të evakuohen si pasojë e zjarreve dhe erërave të fuqishme që e përfshinë vendin, ku zjarrfikësit nuk mund ta kontrollonin gjithë hapësirën e përfshirë nga zjarri.

Qindra milje larg, Kompania e Gazit dhe energjisë elektrike të Paqësorit (PG&E) tha se ua ka ndërprerë energjinë më shumë se 350.000 klientëve të saj për të njëjtën arsye.

Linjat elektrike të dëmtuara nga era kanë qenë të përfshira në shkaktimin e dhjetëra zjarreve shkatërruese në Kaliforni në vitet e fundit dhe shërbimet komunale gjithnjë e më shumë e kanë përdorur ndërprerjen e energjisë elektrike për siguri publike për ta zvogëluar rrezikun.

Shpërthimi i fundit i zjarreve në Kaliforni erdhi si pasojë e ndryshimit të klimës. Brenda vitit u regjistruan thatësira, rrufe dhe temperatura të larta, duke e çuar shtetin e Kalifornisë në vendin e stuhive dhe të nxehtësisë ekstreme, shkruan Al Jaazera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat