Donald Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë

Amerika

Donald Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë

Më: 20 janar 2021 Në ora: 06:20
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 14:52) - “Kanë qenë katër vjet të pabesueshëm. Kemi arritur aq shumë së bashku”, tha presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pak minuta pasi doli nga Shtëpia e Bardhë.

Trump dhe zonja e parë, Melania, ndaluan në bazën “Joint Base Andrews” në Merillend, ku u pritën nga anëtarë të tjerë të familjes Trump dhe mbështetës të tyre.

“Ajo që kemi bërë, ka qenë e mahnitshme me të gjitha standardet”, tha Trump, duke përmendur ndryshimet në ushtrinë amerikane, krijimin e vaksinës kundër koronavirusit e të tjera.

Image

Melania Trump tha se të qenët zonjë e parë, ka qenë “nderi i jetës së saj”.

Trump është presidenti i parë në 152 vjet që nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur.

Ai nuk e ka pranuar kurrë humbjen ndaj demokratit Joe Biden, por ka pretenduar, pa sjellë ndonjë provë, se zgjedhjet janë vjedhur.

Trump dhe zonja e parë do të udhëtojnë drejt Floridës.

(14:20) - Presidenti Donald Trump është larguar nga Shtëpia e Bardhë së bashku me bashkëshorten Melanie Trump.

Ai është rrugës për në bazën Andrews, ku pritet të mbajë një ceremoni të shkurtër lamtumirëse në bazë para se të niset për në Florida me fluturimin presidencial.

Në ceremoni nuk do të jetë zëvendëspresidenti, republikani Mike Pence. Raportohet se Pence është përshëndetur me Trumpin dje.

Trumpi në bazë do të mbajë fjalimin e tij të fundit si president i SHBA-së, para se të inaugurohet më vonë sot si president Joe Biden.

***

Presidenti Donald Trump po paketon valigjet për t’u larguar nga Shtëpia e Bardhë ku qëndroi për 4 vjet.

Mediat amerikane kanë raportuar se Trump së bashku me zonjën e parë, Melania Trump do të fluturojnë për në Palm Beach, Florida para se Biden të betohet si presidenti i ri.

Trump është presidenti i parë në 150 vjet që nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit pasues.

Ndërkaq sot, presidenti i zgjedhur Joe Biden do të marr detyrën e presidentit të 46-të të ShBA’së në ceremoninë e inaugurimit.

***

Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të mbahet ceremonia e inaugurimit të Presidentit të ri, Joe Biden dhe zëvëndvs presidentës Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë.

Motoja kryesore e inaugurimit të zotit Biden është “Amerika e Bashkuar”, që është një synim sfidues.

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara kanë marr të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.

Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Në ndryshim nga presidenti Trump, një biznesmen para se të merrte detyrën, presidenti i zgjedhur Biden është një politikan me përvojë.

Biden ka shërbyer në politikë prej gati 50 vjetësh. Për dy mandate ai shërbeu si nënpresident i Presidentit Barack Obama.

Para kësaj, votuesit e Delauerit e zgjodhën atë gjashtë herë në senatin amerikan.

Një muaj pas zgjedhjes së tij për herë të parë, gruaja dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident me makinë që la dy djemtë e tij të vegjël të plagosur rëndë.

Biden dhe gruaja e tij, Jill, profesore kolegji, jetojnë në Uillmington të Delauerit, një qytet me 70,000 banorë, që tani është shtëpia e presidentit të zgjedhur.

Tani në moshën 78 vjeç, presidenti më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë, po përgatitet për sfidën e tij më të vështirë politike - udhëheqjen e një vendi të ndarë drejt së ardhmes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat