Masat e sigurisë në Kapitol dhe gjyqi ndaj ish-presidentit Trump në Senat

Amerika

Masat e sigurisë në Kapitol dhe gjyqi ndaj ish-presidentit Trump në Senat

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 22:04
SHBA

Uashingtoni ka marrë një pamje tjetër gjatë gjyqit të dytë në Senat ndaj ish-presidentit Donald Trump. Zona e Kapitolit mbetet një zonë me masa sigurie të nivelit të lartë dhe banorët e zonës kanë filluar të pyesin nëse këto masa janë të përhershme, duke patur parasysh tensionet e larta politike në vend pas protestës së dhunshme të 6 janarit në Kapitol.

Uashingtoni, i cili krenohet me qasjen që ofron për të gjithë, është më i bllokuar se kurrë më parë.

"Ne ecim këtu pothuajse çdo ditë, kështu që kjo po na thyen zemrat", thotë Emma Ames, banore e Uashingtoni.

Një perimetër i gjërë sigurie është vendosur rreth Kapitolit, nga ndërtesa e Gjykatës së Lartë deri te Shëtitorja Kombëtare e Uashingtonit. Një befasi për vizitorët. Një tronditje për banorët, si Stephen Ching i cili sapo u kthye në shtëpi pas gjashtë muajsh dhe mësoi se është mbyllura një pjesë e shtegut që ai zakonisht e shfrytëzon për të vrapuar.

“Ky është oborri i Amerikës. Njerëzit gjithmonë dalin në shëtitoren kombëtare. Këtu ne bëjmë festimet e katër korrikut (Ditës së Pavarësisë). Këtu bëhet inaugurimin normalisht dhe ta shohësh tani të rrethuar me gardhe është shumë trishtuese për mua si Amerikan.”

Pra, ndërsa gjyqi ndaj ish-presidentit Trump brenda në Senat po vazhdon, jashtë publiku është i ndarë nga ndërtesa e Kongresit me një gardhë mbi 2 metra të lartë, të mbuluar me tela me gjemba.

"Ky është një gardh i madh, pamjet televizive nuk e pasqyrojnë me saktësi këtë realitet", thotë Lisa R, një banore e Uashingtonit.

Shtatë mijë trupa të armatosura të Gardës Kombëtare janë të rreshtuara pranë gardhit, së bashku me automjetet e tyre taktike. Ata do të qëndrojnë këtu deri në mes të marsit me një kosto që sipas Pentagonit është rreth 483 milionë dollarë.

"Unë jam e kënaqur që ata janë këtu duke mbrojtur qytetin tim që unë e dua. Kam shumë ndjenja për dislokimin e tyre këtu verën e kaluar kur prania e ndihej e mbingarkuar dhe panevojshme. Edhe tani, kam emocione të përziera për këtë dhe kjo është e çuditshme”, thotë Lisa R, banore e Uashingtonit.

Verën e kaluar u vendosën bllokime dhe gardhe të ngjashme gjatë protestave të lëvizjes Black Lives Matter. Tani, është e vështirë të shijosh një pamje të plotë nga afër të Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshe nga sulmi i 6 janarit në Kapitol, tani mbizotëron një qetësi e frikshme. Ditët e para të gjyqit ndaj ish-Presidentit Trump në Senat sollën një numër të vogël protestuesish. Ata janë të heshtur, por me mesazhe të forta

Bota po i ndjek me vëmendje zhvillimet këtu, ndërsa kërcënimet e sigurisë kanë transformuar pamjen fizike të Uashingtonit. Ish Eksperti i FBI-së për Terrorizmin, Brian Lynch tha për Zërin e Amerikës së masat e sigurisë kanë një mesazh të qartë.

“Ajo që ndodhi më 6 janar nuk do të ndodhë, nuk mund të ndodhë më. Dhe së dyti, mendoj se bota duke parë atë që ndodhi më 6 janar këtu, mendon se kjo mund të ndodhë kudo.”

Shefja në detyrë e Policisë së Kapitolit, Yogananda Pittman thotë se disa pjesë të gardhit mund të jenë të përhershme. Megjithatë kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser shkroi në Twitter se kur të vijë koha e duhur, gardhet do të hiqen. Brian Lynch thotë se forcat e rendit, bazuar në vlerësimet e ardhshme të sigurisë, do ta dijnë se kur është koha për heqjen e barrierave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat