Sondazhi: Shumica e amerikanëve të pavaksinuar nuk duan të imunizohen

Amerika

Sondazhi: Shumica e amerikanëve të pavaksinuar nuk duan të imunizohen

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 21:31
SHBA

Shumica e amerikanëve që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19-s thonë se nuk ka gjasa që ata të vaksinohen dhe kanë dyshime për efektivitetin e vaksinave kundër variantit agresiv të koronavirusit Delta, pavarësisht se të dhënat tregojnë të kundërtën. Këto janë gjetjet e një sondazhi të ri që nënvizon sfidat me të cilat përballen zyrtarët e shëndetit publik, mes një rritjeje të infeksioneve në disa shtete.

Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe Qendra Kërkimore mbi Çështje Publike NORC në grupin e të rriturve amerikanë që nuk kanë marrë ende një vaksinë, 35% thonë se me gjasë, nuk do të vaksinohen, ndërsa 45%, thonë se është e sigurt që nuk do të vaksinohen. Vetëm 3% thonë se do të vaksinohen me patjetër, ndërsa 16% të tjerë thonë se ndoshta do të vaksionohen.

Sipas të njëjtit sondazh 64% e amerikanëve të pavaksinuar kanë pak ose aspak besim se vaksinat janë efektive kundër varianteve të koronavirusit, përfshirë atë Delta që zyrtarët thonë se është përgjegjës për 83% të infeksioneve të reja në vend. Të dhënat tregojnë se vaksinat ofrojnë mbrojtje të fortë. Në ndryshim, 86% e atyre që janë vaksinuar tashmë kanë të paktën një farë besimi se vaksinat janë efektive.

Kjo do të thotë "se do të ketë më shumë raste të cilat mund të ishin parandaluar, shtrime në spital e vdekje që mund të ishin parandaluar", thotë Dr. Amesh Adalja, një specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin “Johns Hopkins”.

"Ne e dinim që një pjesë e popullsisë do të ishte e vështirë që të bindej pavarësisht se çfarë tregojnë të dhënat, dhe për shumë njerëz do të jetë e pamundur të binden", tha ai. Zoti Adalja i bëri jehonë komenteve të Drejtoreshës së Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky që i ka quajtur infeksionet e reja "një pandemi të të pavaksinuarve" sepse pothuajse të gjitha shtrimet në spital dhe vdekjet kanë qenë në mesin e atyre që nuk ishin imunizuar.

Sondazhi i AP-NORC-ut u zhvillua përpara se disa republikanë dhe personaliteteve televizive konservatore t’u bënin thirrje këtë javë amerikanëve që të vaksinohen pas disa muajsh hezitimi. Kjo përpjekje vjen ndërsa rastet me COVID-19 pothuajse janë trefishuar në SHBA gjatë dy javëve të fundit.

Sipas CDC-së në shkallë kombëtare, 56.4% e të gjithë amerikanëve, përfshirë fëmijët, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë të enjten se vaksinimet kanë filluar të rriten në disa shtete ku nivelet janë të ulta dhe rastet me COVID-19 janë në rritje, përfshirë në Arkansasin, Floridën, Louizianën, Mizorin dhe Nevadën.

Megjithatë, pak më shumë se 40% e banorëve së Luizianës ka marrë të paktën një dozë dhe shteti raportoi të mërkurën 5,388 raste të reja me COVID-19, shifra e tretë më e lartë njëditore që nga fillimi i pandemisë. Shtrimet në spital janë rritur gjithashtu në muajin e fundit.

Sipas gjetjeve të sondazhit të AP-NORC-ut shumica e amerikanëve, 54%, janë disi të shqetësuar se ata ose dikush në familjen e tyre do të infektohet, ndërsa 27% janë shumë të shqetësuar. Kjo tendencë ka pësuar rritje nga një muaj më parë, por është shumë më poshtë sesa paraqitej në fillim të vitit, kur rreth 7 në 10 amerikanë thoshin se ishin disi të shqetësuar, se ata ose dikush që ata njihnin, do të infektohej.

Demokratët kanë më shumë gjasa sesa republikanët të thonë se janë në një farë menyre të shqetësuar nëse dikush pranë tyre do të infektohet, 70% me 38%.

Në përgjithësi, republikanët kanë më shumë gjasa sesa demokratët të thonë se nuk janë vaksinuar dhe se me shumë gjasa ose ndoshta, nuk do të vaksinohen, respektivisht 43% me 10%. Pikëpamjet janë të ndara gjithashtu edhe sipas moshës dhe nivelit të arsimimit.

Tridhjetë e shtatë për qind e atyre nën moshën 45 vjeç thonë se nuk janë vaksinuar dhe nuk ka gjasa të vaksinohen, krahasuar me vetëm 16% të atyre në moshë më të madhe. Ata pa diplomë universitare kanë më shumë gjasa se ata që kanë një të tillë, të thonë se nuk janë dhe nuk do të vaksinohen, respektivisht 30% me 18%.

Cody Johansen, i cili jeton pranë Orlandos në Florida, e konsideron veten një republikan konservator, por thotë se kjo nuk kishte asnjë ndikim në vendimin e tij për të anashkaluar vaksinimin.

"Nuk ka qenë vërtet aq e rrezikshme për njerëzit e moshës sime dhe unë unë kam një sistem të mirë imunitar", thotë zoti Johansen, një 26-vjeçar që instalon pajisje audio-vizuale në bazat ushtarake. "Shumica e miqve të mi u vaksinuan dhe ata janë disi të zemëruar me mua që nuk e kam bërë vaksinën. Ekziston një formë presioni nga kolegët sepse ata thonë se është një përgjegjësi qytetare”.

Ai tha se është e qartë që vaksinat kanë qenë efektive, megjithëse e shqetëson pak fakti që ata janë të autorizuara vetëm për përdorimit në raste emergjente nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Zoti Johansen thotë se ai e mbështet mënyrën se si Presidenti Joe Biden e ka administruar pandeminë, duke thënë se ai ka shfaqur një aftësi të mirë drejtuese.

Kjo pasqyron edhe gjetjet e sondazhit. Një shumicë e madhe e amerikanëve, 66%, vazhdojnë ta mbështesin mënyrën se si Presidenti Biden po e trajton çështjen e pandemisë, një vlerësim i lartë sesa vlerësimi i përgjithshëm ndaj zotit Biden që është 59%.

Diferenca është ushqyer kryesisht nga republikanët, 32% e të cilëve thonë se ata e mbështesin mënyrën se si Presidenti Biden po e trajton COVID-19-n krahasuar me 15% që e mbështesin atë në përgjithësi mbi mënyrën se si po qeveris. Rreth 9 në 10 demokratë e mbështesin Presidentin Biden në përgjithësi si dhe mbi mënyrën e trajtimit të pandemisë.

Jessie McMasters, një inxhiniere e hapësirës që jeton afër Rockfordit në Ilinois, thotë se e dozën e parë të vaksinës e mori kur ishte 37 javëshe shtatzënë, pasi foli me mjekët e lexoi informacione se si ishin prodhuar vaksinat Pfizer dhe Moderna.

"Kjo më dha një besim më të madh se ato janë efektive", thotë zonja McMasters. Prindërit e saj u infektuar të dy nga COVID-i, por jo me simptoma të rënda, dhe që të dy janë të vaksinuar.

Ajo thotë se miqtë dhe familja e saj kanë pikëpamje të ndryshme mbi vaksinimin dhe ndaj masave të tjera që parandalojnë virusit çka reflekton se diskutimet mbi këto çështje janë bërë me qasje partiake. Disa që janë vaksinuar thonë se nuk mund të heqin dorë nga maskat, sepse ato tashmë shihet si një deklaratë personale thotë zonja McMasters, ndërsa ka të tjerë që nuk i marrin vaksinat për shkak të përkatësisë së tyre politike ose keqinformimit.

Dr. Howard Koh, një ish-zyrtar i lartë i shëndetit publik në administratën Obama thotë se hezitimi ndaj vaksinës nuk është një gjë e re, por disinformimi rreth COVID-19 dhe variantet e COVID-it që po përhapen me shpejtësi e bëjnë të domosdoshme që të shkohet derë me derë për të kuptuar shqetësimet e për të ofruar informacion rë saktë.

Ai e quajti rritjen e re të infeksioneve dhe vdekjeve "të dhimbshme".

"Ajo që kam mësuar nga pacientët e mi është se kur një njeri i dashur vdes, kjo është një tragjedi. Por kur ai vdes dhe ju e dini që mund të ishte parandaluar, kjo tragjedi do të të përndjekë gjithmonë", tha ai./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat