Ekuador, polemika mbi hidrocentralin e ndërtuar nga Kina

Amerika

Ekuador, polemika mbi hidrocentralin e ndërtuar nga Kina

Më: 26 mars 2023 Në ora: 07:21
Hidrocentrali më i madh i Ekuadorit

Hidrocentrali më i madh i Ekuadorit, projekti i debatueshëm Coca Codo Sinclair i ndërtuar nga Kina me financimet e saj, po përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme. Kritikët thonë se infrastruktura e brendshme dhe e jashtme vazhdojnë të dëmtohen si rezultat i përdorimit të materialeve të dobëta në ndërtimin e tij dhe studimeve sipërfaqësore për erozozionin para ndërtimit të strukturës.

Édgar Zúñiga drejton një dyqan 80-vjeçar akulloresh në kryeqytetin Quito të Ekuadorit. Dyqani ka një histori të vjetër, duke i mbijetuar madje viteve 1990 kur energjia racionohej. Dritat ishin me orar dhe madje një dekret kombëtar ndryshoi orën për të përfituar nga agimi i hershëm.

“Frigoriferët duhet të krijojnë temperaturën e duhur për akulloret. U shokuam dhe u shqetësuam kur na thanë se energjia elektrike do të ndërpritej për dy-tre orë”, thotë ai.

Zgjidhja e problemit në vend ishte hidrocentrali i ndërtuar me ndihmën e firmës shtetërore kineze Sinohydro. Centrali Coca Codo Sinclair ka një sistem transmetimi që furnizon me energji të gjithë vendin.

Në vitin 2016, presidenti i atëhershëm Rafael Correra dhe presidenti kinez Xi Jinping inauguruan hidrocentralin në Quito.

“Ne përuruam infrastrukturën më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në këtë vend, hidrocentralin Coca Codo Sinclair. Hidrocentrali me një fuqi prej 1500 MW, mund të prodhojë energji elektrike për të gjitha shtëpitë e Ekuadorit”, tha zoti Correra.

Projekti kushtoi më shumë se 2 miliardë dollarë dhe u financua me një hua prej 1.7 miliardë dollarësh nga Banka Eksport Import e qeverisë kineze.

“Kina është e gatshme të punojë me palën ekuadoriane nën dritën e parimeve të bashkëpunimit si barazia, përfitimi reciprok, fleksibiliteti, pragmatizmi, hapja dhe përfshirja për të thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë”, tha Presidenti Xi Jinping.

Zëri i Amerikës bisedoi me ligjvënësin Fernando Villavicencio, i cili kryeson Komisionin e Mbikëqyrjes dhe është ndër kritikët e shumtë të hidrocentralit të rrethuar nga polemikat.

“Kina i dha huanë Ekuadorit duke e detyruar të punësonte një kompani të preferuar prej saj. Qeveria nuk mund të vendoste se cila ishte kompania dhe kostoja më e mirë. Ishin negociata fatale, humbje sovraniteti dhe kuptimit të mirë”, tha ai.

Ligjvënësi gjithashtu ngre pikëpyetje lidhur me cilësinë e materialeve të përdorura dhe shfaqjen e mijëra çarjeve në tunelet ku kalon uji që vë në punë turbinat.

“Zbuluam se për vitin 2022, deri në korrik, që është përditësimi më i fundit i të dhënave që kemi, ka 17,499 çarje”, thotë ai.

Inxhinieri mekanik Roberto Varhola ishte konsulent gjatë zbatimit të projektit dhe kundërshtoi ndërtimin e centralit duke argumentuar se nuk ka ujë të mjaftueshëm për të prodhuar 1500 megavat energji.

Ai gjithashtu paralajmëroi për rreziqet e mundshme të shkaktuara nga çarjet në tunelet e shfrytëzimit.

“Numri i të çarave është makthi i një viti të gjatë. … makthi më i keq që ka një inxhinier mekanik.”

Zoti Varhola fajëson si autoritetet ekuadoriane ashtu edhe kompaninë kineze të ndërtimit për problemet strukturore.

“Si qytetar ekuadorian, ndihem i mashtruar, sepse ata duhet të kishin vepruar më mirë”.

Në përgjigje të mbulimit mediatik të problemeve në hidrocentral, gazeta shtetërore kineze “Global Times” citoi zyrtarë të ambasadës kineze në Ekuador të kenë thënë se, “problemi është vlerësuar nga një palë e tretë e pavarur e cila ka dalë në përfundimin se nuk do të ndikojë tek funksionimi apo siguria e njësisë dhe se hidrocentrali është i sigurtë sipas projektimeve për jetëgjatësinë 50-vjeçare”.

Raporti vuri në dukje gjithashtu se hidrocentrali prodhon më shumë se 30% të energjisë elektrike të Ekuadorit.

Përveç problemeve të stukturës së brendshme, hidrocentrali po përballet edhe me këcënime mjedisore nga jashtë. Në vitin 2020, erozioni shkaktoi një gropë gjigande, duke dëmtuar tubacionet e naftës, shkatërruar pjesë të autostradës dhe marrë me vete një pjesë të qytetit San Luis.

Zëri i Amerikës bisedoi me banoren Erodita Andi që ka jetuar në zonë prej 15 vitesh.

“Kur bie shi, herë pas here dëgjon rrëshqitjet e malit. Ky është terrori që jetojmë çdo ditë ne si komunitet”.

Gjeologia Carolina Bernal thotë për Zërin e Amerikës se erozioni lidhet me mënyrën e trajtimit të sedimenteve nga hidrocentrali. Ajo dhe ekspertë të tjerë thonë se studimet e mëparshme mjedisore duhet të ishin analizuar më mirë përpara se të fillonte ndërtimi i hidrocentralit.

“Është një zonë ku po shtohen problemet, sepse ekziston një kërcënim që për shkak të grumbullimit të vazhdueshëm të sedimenteve të ketë përmbytje dhe vazhdimisht kërkohet pastrimi i basenit nga sedimentet”.

Inxhinieri Jorge Sevilla thotë se përpara ndërtimit kanë munguar studimet e përditësuara gjeologjike. Ai thotë se shtimi i sedimentit në pjesën e sipërme të digës po rrit nivelin e ujit dhe mund të krijojë bllokime që do të rrezikonin funksionimin e hidrocentralit.

"Mendohej se ajo që ishte bërë tashmë ishte e mjaftueshme, por nuk doli ashtu”.

Të kapluar nga shqetësimet rreth hidrocentralit, banorët e zonës kanë ankesat e tyre për mos plotësimin e pritshmërive ekonomike.

“Projekti do të shtonte turizmin, do të tërhiqte më shumë njerëz për të parë veprën, por nuk ndodhi”, thotë banori i zonës Luis Herrera.

Në vend që të ardhurat të investohen për zonën, ato do të shkojnë për riparimet e hidrocentralit dhe mbrojtjen nga erozioni. Ekuadori dhe Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë për të zbutur kërcënimet mjedisore ndaj hidrocentralit në mënyrë që të vazhdojë furnizimin e vendit me energji elektrike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat