SHBA dhe Kanadaja shohin interes në rritje për armëpushim të kufizuar në Detin e Zi

Amerika

SHBA dhe Kanadaja shohin interes në rritje për armëpushim të kufizuar në Detin e Zi

Nga: A.M. Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 11:38
Anita Anand, Marco Rubio

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja kanë bërë të ditur se po rritet interesi ndërkombëtar për arritjen e një armëpushimi të kufizuar në Detin e Zi, me qëllim garantimin e transportit të sigurt të drithërave dhe energjisë nga Rusia dhe Ukraina, shkruan Ruters, përcjell “Bota sot”.

Sipas një raportimi të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të shtunën se Uashingtoni është duke shqyrtuar propozimet e paraqitura nga Turqia dhe India për të mundësuar rifillimin dhe garantimin e transportit të drithërave përmes Detit të Zi.

Rubio i bëri këto deklarata pas një takimi dyditor të ministrave të Jashtëm të vendeve të G20-s, të mbajtur në Atlanta të SHBA-së.

Ai theksoi se një marrëveshje e tillë nuk do t'i jepte fund luftës në Ukrainë, por do të mundësonte zgjidhjen e një prej problemeve që po kërcënon sigurinë ushqimore dhe energjetike në botë.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, në një intervistë për Reuters, tha se kishte diskutuar mundësinë e një armëpushimi të kufizuar në Detin e Zi me homologët e saj nga Ukraina dhe India.

Ajo bëri të ditur se diskutimet përfshijnë edhe mundësinë e ndalimit të sulmeve ndaj infrastrukturës elektrike dhe energjetike të Ukrainës, veçanërisht para ardhjes së dimrit.

Anand theksoi se disa vende janë të interesuara për një marrëveshje të tillë, pasi synojnë të garantojnë sigurinë e zinxhirëve të furnizimit me ushqime dhe të anijeve që transportojnë mallra përmes Detit të Zi.

Sipas saj, India dhe Egjipti janë ndër vendet e prekura nga pasiguria në këtë rajon, ndërsa Ukraina është e përfshirë në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, ajo tha se Rusia deri më tani nuk ka treguar gatishmëri për të ecur përpara me këtë nismë.

Takimi i ministrave të Jashtëm të G20-s përfundoi pa një deklaratë të përbashkët, ndërsa lufta në Ukrainë dhe pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shkaktuan përplasje mes përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat